English

6-Mujori: Pensionet Private Vullnetare, Tregu Rritet Me 41 %

TIRANE 31 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Tregu i pensioneve private vullnetare në gjashtë muajt e parë të këtij viti është rritur me 41%. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare tregojnë se vlera totale e kontributeve deri në fund të muajit qershor, arriti në rreth 87 milionë lekë, nga rreth 62 milionë lekë, që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Angazhimi në tregun e pensioneve private të tre aktorëve të rëndësishëm është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të tregut në raport me bazën e mëparshme. Megjithatë, përsëri tregu ngelet i kufizuar në përmasa. Numri total i të siguruarve në këto skema është më pak se pesë mijë vetë. Më saktësisht, në fund të muajit qershor, regjistroheshin 4658 kontribues, me një rritje modeste prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për nga vlera e kontributeve, tregu vazhdon të dominohet nga shoqëria "Raiffeisen Pensions", që në fund të 6-mujorit të parë zinte afro 51% të tregut, por megjithatë, shfaqet në rënie, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur zinte 58% të tregut. Në rritje është shoqëria Capital, që ka arritur në 32% të tregut, nga 21% që zinte një vit më parë. Ndërsa në rënie rezulton shoqëria Sigma IPP, e cila që në fund të muajit qershor zinte 17% të tregut, me 3% më pak se një vit më parë. Për numrin e kontribuesve, shoqëria më e madhe në treg është "Capital", që zë 40% të tregut, e ndjekur nga Raiffeisen me 38% dhe Sigma IPP me 22%. Tregu i skemave private te pensioneve megjithëse 5 vjet pas krijimit të tij, vijon te jete ende i paperfillshem per nga numri i kontribuesve dhe arketimet./n.m/
KOMENTE