Bujqesia, Shanse Per Nje Sektor Neto Te Eksporteve
TIRANE, 31 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/ .- Në kushtet kur në zonat rurale kryeson aktiviteti ekonomik bujqësor, zhvillimi i këtij sektori udhëheq proçesin e zhvillimit rural dhe krijon premisë për ngushtimin e diferencave në rajone.
Në një intervistë në mediaT, ministri i Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, shpreh bindjen se, bujqësia ka më shumë shanse të jetë ndër sektorët neto për eksportet. Sipas tij, "kjo nuk mund të kryhet në 4 vjet, por duke parë ritmet me të cilat është aritur të sigurohet kërkesa e konsumatorëve në vend, sidomos 4 -5 vitet e fundit, mund të kemi një përgjysmim të deficitit në tregtinë me jashtë të prodhimeve bujqësore brenda një afati 3 - 4 vjeçar."
Në programin e MBUMK-së, thotë Ruli, rëndësi do t'i jepet dhe zbatimit të projekteve për zhvillimin e produkteve industriale tradicionale, që padyshim kanë peshë jo pak të rëndësishme në bilancin tregtar bujqësor.
-Prodhimin e udhëheq kërkesa-
Ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1990, patën ndikim edhe në zhvillimin bujqësor, shprehet Ruli, i cili evidenton se, prishja e strukturës së mëparshme e organizimit shteteror dhe ndarja e tokës fshatarëve, bëri që të ndryshojë edhe struktura e prodhimeve bujqesore e blegtorale në varësi të kërkesave të sotme që ka tregu.
Sot, thekson ministri Ruli, prodhimin e udhëheq kërkesa e tregut, ndërkohë që politikat e qeverisë synojnë të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori dhe standartizimin e tij.
Historia post-komuniste e bujqësisë shqiptare ka dëshmuar një zhvendosje në strukturën e prodhimit drejt një modeli të drejtuar nga kërkesa, me një rënie të bimëve fushore industriale (oriz, pambuk, grurë, duhan) të ekuilibruar nga një rritje në prodhimin e bimëve foragjere.
Ndërkohë që agro-përpunimi (vaji i ullirit, prodhimi i miellit) dhe hortikultura (prodhimi i ullinjve, rrushit, perimeve dhe frutave) kanë dëshmuar një rritje dinamike, shumë më të shpejtë se sektori i bujqësisë.
Sipas ministri Ruli, disa prej shkaqeve të kësaj rishpërndarje të burimeve ndërmjet nënsektorëve janë efektet e liberalizimit të tregtisë, investimeve, ndryshimeve në nivelin institucional dhe infrastrukturor si dhe rritjes së kërkesës së brendshme për prodhime ushqimore.
Këto rritje dhe rënie në prodhimin e nënsektorëve bujqësorë të veçantë, pasqyrojnë gjithashtu avantazhet krahasuese të Shqipërisë nga pikëpamja e klimës, gjeografisë dhe kostos së krahut të punës, vlerëson ai.
Sidoqoftë, si bujqësia ashtu edhe agropërpunimi, përballen me sfida të mëdha për të arritur standartet rajonale, veçanërisht në drejtim të kapacitetit institucional, teknologjisë, aftësive dhe njohurive, depërtimit tek burimet si dhe cilësisë së lëndëve të para dhe prodhimit.
-MBUMK, projekte për riaktivizimin e kulturave industriale-
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, synon të ndërmarrë projekte dhe iniciativa për nxitjen dhe riaktivizimin e prodhimit të kulturave industriale, të cilat para viteve '90 përbënin bazën e produkteve tradicionale për fermerët.
Një nga projektet që bën pjesë në politikat e MBUMK-së për zhvillimin e kulturave industriale është mundësia e kultivimit të orizit në zonën e Shkodrës.
Para viteve '90, kultivimi i orizit zinte mbi 15000 ha tokë, ku zona tradicionale ishin Shkodra dhe Lezha, por masivisht është kultivuar oriz edhe në zona të tjera si, në Kavajë, Lushnje, Fier Vlorë, Sarande etj, ku prodhohej 6-9 ton oriz për ha. Për rritjen e rendimentit të tij, në Shkodër u ngrit Instituti i Misrit dhe Orizit (IMO), që hartonte teknologji bashkohore për krijimin e kultivarëve të orizit të përshtatshëm për kushtet klimatiko-tokësore të zonave përkatëse ku kultivohej ajo.
Por, që nga ajo periudhë kaluan 20 vjet që në Shqipëri nuk kultivohet më bima e orizit, ndërsa nevojat e vendit plotësohen nga importi. Në shkallë vendi konsumi i përgjithshëm vjetor i kalon të 20.000 tonët.
Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se shifrat dëshmojnë për prodhimtari të kësaj kulture në vend, ndaj kanë hartuar një projekt pilot për mbjelljen e orizit në zonën e Bushatit në Shkodër, përmes zbatimit të një modeli e teknollogjie të përparuar në një sipërfaqe prej 200 ha tokë.
Sipas tyre, kjo iniciativë synon të krijojë një shembull e model për fermerët, me qëllim ripërtëritjen e prodhimit të kulturave bujqësore të tjera tradicionale dhe shfytëzimin e tokës bujqësore.
Sipas statistikave në MBUMK, Rajoni Peredimor vlerësohet si rajoni i dritherave të bukës (grurit, misrit dhe orizit) ndërsa pjesë të vecanta të tij, si p.sh. fusha e Myzeqese, vlerësohej si hambari i Shqipërisë, ku rendimentet e dritherave ishin ndër më të lartat, (gruri 60-100 kv/ha, kurse misri 100-150 kv/ha).
Ndonëse ky rajon ka kushte mjaft të mira edhe për zhvillimin e bimeve industriale si, pambuku, duhani, lulja e diellit etj, kultura që kanë pasur rëndësi sidomos në vitet '70 e '80, sot kultura industriale më e rëndësishme ka mbetur duhani. Ndërsa prioritet po marrin kulturat e drunjta dhe pemët frutore (fiku, pjeshka, kumbulla, qershia etj.), ulliri dhe vreshtat. /a.ke/