Tiranë, 31 Korrik, NOA – Në mesnatë, duke u gdhirë dita e sotme, forcat e policisë janë njoftuar për rënien e një zjarri në urën e Çelmatajve, urë kjo që lidh rrugën nacionale Tiranë-Durrës me fshatin Pezë.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6 të policisë si dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët konstatuan se në urën prej dërrase kishte rënë zjarr dhe u morën masa të menjëhershme për shuarjen e tij.
Ndërkaq, raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA se pas shuarjes së zjarrit, u evidentua që dëmtimet nuk përbënin shkak për bllokimin e qarkullimit të automjeteve dhe iu hap rruga kalimit të të gjitha mjeteve.
Janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të parashikuar nga nenet 150 e 22 të Kodit Penal.
Aktualisht, policia po heton për një zjarrvënie të qëllimshme, por edhe për mundësinë e një zjarri aksidental.
Ndërsa janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje shumë banorë të zonës, si dhe është marrë takim me kryeplakun dhe kryetarin e komunës.
n.e/NOA