Elbasan: Çmime Pikturash Për Të Sëmurët Mendorë
ELBASAN, 31 Korrik/ ATSH-Miranda Sadiku/- Një mjedis në spitalin psikiatrik "Sadik Dinçi" në Elbasan, me praninë e disa piktorëve u kthye gjatë muajit korrik në një atelie pikturash dhe jo vetëm, duke angazhuar mjaft pacientë, që sot prezantuan punimet në një ceremoni festive.
Të sëmurët mendorë u bënë pjesëmarrës në një aktivitet të organizuar në qendër të qytetit, shumë pranë portës së Kalasë, ku u vlerësuan me çmime shumë prej tyre nga piktorë të njohur, pasi kaluan një muaj të mbushur me aktivitete në fushat e artit, artizanatit dhe kuzhinës, nën moton " Ëndërro një botë për të gjithë".
Ky aktivitet organizohet prej tre vitesh organizohet nga OBSH, me financimin e Komunitetit "Saint Egidio" me qendër në Romë, në bashkëpunim me spitalin psikiatrik, Bashkinë, disa OJF të ndryshme me praninë e disa piktorëve të njohur.
Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini duke përshëndetur Komunitetin "Saint Egidio" tha se kjo veprimtari është mjaft sinjikative për qytetin. "Ne tregojmë kujdes për këta pacientë, që ata të ndjehen mirë dhe aktivë", tha ai.
Piktori Anastas Kostandini prej një jave ka ardhur nga Pogradeci dhe në bashkëpunim me skulptorin elbasanas Bujar Kapllani janë kujdesur në fushën e pikturës, me qëllim që të sëmurët mendorë të kenë mundësi të argëtohen dhe në ditët në vijim. Kostandini tha për ATSH-në, se "duke ju përgjigjur ftesës për t'u kujdesur me këta të sëmurë mendorë, sot them se ka qenë një kënaqësi e madhe për mua t'i jepja mësim atyre".
Drejtori i Spitalit Psikiatrik "Sadik Dinçi" Kamber Balla përshëndeti stafin mjekësor të spitalit dhe Motrat Baziliane të cilat drejtuan kursin e kuzhinës me të sëmurët mendorë.
Françesko Kazereli, përfaqësues i Komunitetit "Sant Egidio" deklaroi kënaqësinë për miqësinë e krijuar gjatë këtyre tre viteve. "Po të mos ishte miqësia, gjithçka që ne kemi bërë, nuk do të ishte realizuar. Të sëmurët mendorë kanë punuar me përkushtim të madh, pasi ne besojmë se brenda gjithësecilit prej nesh egziston një artist", tha Kazareli./n.m/