English

Himare: Rruget E Bregdetit Drejt Perfundimit

HIMARE, 31 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Ndërtimi i rrugëve të reja që lidhin aksin kryesor kombëtar Vlorë-Sarandë, me bregun e detit në territorin e bashkisë së Himarës, po shkojnë drejt përfundimit. "Janë katër segmente të financuara nga qeveria shqiptare, ku punimet kanë përfunduar në mbi 95 përqind, që do të jenë në dispozicion të pushuesve brenda pak ditësh", thotë për ATSH-në kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Aktualisht, rrugët që lidhin aksin kryesor me plazhet e Livadhit, Jalës, Dhërmiut dhe Dhromadhes janë shndërruar në segmente me standarde bashkëkohore. Ato janë zgjeruar, sistemuar dhe asfaltuar, ndërsa është në përfundim sinjalistika vertikale dhe horizontale, që krijon estetikë të veçantë përgjatë tyre. Me përfundimin një vit më parë të rrugës së Bregut nga Vlora në Sarandë, fluksi i pushuesve dhe turistëve të huaj në sezonin veror 2009, pothuajse u dyfishua. Ky investim, i realizuar nga qeveria shqiptare, që vlerësohet si projekti më i madh i konkretizuar ndonjëherë në histori në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, u mirëprit dhe u vlerësua nga banorët e zonës dhe nga operatorët turistikë. Por mungesa e standardeve në segmentet që lidhin këtë aks me plazhet, ndihej mjaft dhe shfaqej në gjithë gjatësinë bregdetare, në plazhin e Dhërmiut, Dhromadhes, Jalës, ku trafiku bllokohej shumë shpesh. Ndërsa mjediset e plazhit të Livadhit frekuentoheshin shumë pak për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore. Por këtë sezon gjendja është ndryshe. Të gjitha këto plazhe do të kenë një infrastrukturë rrugore të kompletuar dhe bashkëkohore. "Po punojmë me intensitet që gjithçka të jetë gati brenda një periudhe të shkurtër", thotë Edi, një nga inxhinierët dhe drejtuesit e kompanisë "Gjikuria", që ndërton rrugën që lidh Dhërmiun me plazhin e Dhromadhes, ku ndodhet edhe kompleksi mjaft i frekuentuar i emërtuar "Lolipop". Aktualisht, bregdeti i Himarës ka një kapacitet akomodues prej 25-30 mijë shtretërish. Struktura turistike pritëse përbëhet nga tre kategori, mes të cilave, ajo hotelerike, me rreth 3500 shtretër, turizmi familjar me rreth 18 mijë shtretër dhe kategoria e përzier, ku nuk ka një profil të saktë hotelerik, apo familjar. Bregdeti me gjatësi rreth 30 km e ka justifikuar këtë interesim dhe këtë përzgjedhje të pushuesve, ardhja e të cilëve është ndikuar nga disa faktorë, mes të cilëve, pastërtia e bregdetit, klima e përshtatshme, qetësia, përmirësimi i infrastrukturës. /a.ke/
KOMENTE