Infrastruktura Dhe Trashëgimia Arkeologjike, Në Kërkim Të Zgjidhjeve Oportune
- Drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik në MTKRS, Roland Olli në një intervistë për ATSH-në-
TIRANË, 31 Korrik/ ATSH, Suada Daci/- Në Shqipëri çdo vit sipërfaqe të mëdha të zonave urbane dhe rurale preken nga punimet e infrastrukturës, zhvillimit infrastrukturor dhe urban, por punime të kësaj natyre mund të dëmtojnë potencialin arkeologjik të nëntokës nëse nuk mbikëqyren nga ekspertë të fushës.
Rasti fundit është projekti i rikonstruskionit të segmentit rrugor, Kanali i Cukës - Butrint, financuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve (DPRR) për përmirësimin e lëvizjes drejt një prej qendrave më të vizitueshme të turizmit kulturor, Parkut Kombëtar të Butrintit.
Sipas drejtorit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik në MTKRS, Roland Olli, "fluksi i madh i mjeteve, kryesisht në sezonin turistik, mungesa e elementëve të sigurisë në rrugën prej 13.5 km dhe mosplotësimi i kushteve për të ofruar dy kalime, i dhanë shkas hartimit të projektit të rikonstrusksionit të rrugës".
Segmenti rrugor prej Urës së Çukës deri në sheshin përpara hyrjes për në qytetin antik të Butrintit është i gjatë 13,5 km, por 3 kilometrat e fundit të saj shtrihen në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Aktualisht, sipas drejtorit Olli, " punimet vazhdojnë në gjithë gjatësinë e rrugës, me përjashtim të disa pjesëve ku projekti ka pësuar ndryshime".
"Ndërhyrja e arkeologjisë parandaluese në këtë projekt infrastrukturor e trajton këtë të fundit në total, pasi ai kalon në zona të nxehta arkeologjike, më specifike, në 3 km e fundit të rrugës, që shtrihen brenda territorit të Parkut Kombëtar të Butrintit", u shpreh Olli.
Për ATSH-në drejtori Olli tregon proçedurën që ndiqet në këto raste në zbatim të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore.
Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pezulloi fillimin e punimeve dhe vendosi që të kryhej më parë vëzhgimi intensiv arkeologjik i segmentit rrugor Kanali i Çukës - Butrint nga një grup pune me specialistë të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Institutit të Arkeologjisë, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar Butrint.
Sipas Ollit, "gjatë vëzhgimit intensiv arkeologjik të realizuar në terren, u identifikuan katër zona me potencial arkeologjik, ku përfshiheshin, gjurmë të një kulle të antikitetit të vonë, struktura pranë Murit të Demës të zbuluara gjatë punimeve për hapjen e ujësjellësit të Ksamilit, gjurmë të një varri antik pranë Kullës së vrojtimit (e periudhës Veneciane) si dhe struktura të reja muresh në disa zona".
Aktualisht, të gjitha punimet në segmentin rrugor Kanali i Cukës-Butrint janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme arkeologjike, thotë Olli, duke shtuar se, "janë identifikuar disa site të reja ku mund të përmenden struktura rrethore pranë Rrugës së Manastirit, që mendohet të jetë një kullë vrojtimi, e cila lidhet me fazën e dytë të Murit të Demës".
Gajtë punimeve, thotë Olli, u bë edhe zbulimi i një muri rrethues i periudhës antike të panjohur më parë pranë Manastirit të Shën Gjergjit.
"Në këtë proces u përfshinë disa institucione, ku propozimet për ndryshim të projektit të kërkuara nga ASHA dhe të miratuara nga KKA, u reflektuan pa hezitim nga DPRR në ndryshimin e projektit", shton ai.
Sipas tij, realizimi i projekteve të tilla të infrastrukturës në zona me potencial të lartë të trashëgimisë arkeologjike është domosdoshmëri, pasi kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e vizitueshmërisë, ndërsa po kaq e rëndësishme është që zbatimi i këtyre projekteve të garantojë paprekshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
"Projekti 'Rikonstruksioni i Segmentit Rrugor Kanali i Cukës-Butrint', është rasti i parë në vend, zbatimi i të cilit nëpërmjet kontakteve të vazhdueshme, vizitave në terren dhe bashkëpunimit midis institucioneve dhe specialistëve të përfshirë në këtë proçes, tregojnë se janë pjekur kushtet jo vetëm për zbatimin e masave të arkeologjisë së shpëtimit por edhe atyre të arkeologjisë parandaluese", tha Olli.
Sipas drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik në MTKRS, Roland Olli, zbatimi i këtij projekti shënon njëkohësisht një rast ku për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, efektet finaciare të akorduara nga shteti të jenë të përmasave të konsiderueshme në mbi 40 milion lekë./n.m/