Korçë: Fushatë Sensibilizimi Për Shmangien E Aksidenteve Automobilistike
KORÇË, 31 korrik /ATSH-Behar Fejzulla/ - Ministria e Transporteve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Drejtorinë Rajonale të këtij shërbimi, Korçë, organizuan, ditën e shtunë, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, një fushatë sensibilizuese për shmangien e aksidenteve automobilistike, nën logon "Jepini vlerë jetës tuaj, drejto me përgjegjësi automjetin".
Organizatorët shpërndanë disa qindra fletë-palosje dhe postera për drejtuesit e automjeteve, ku kërkohej respektimi i sinjalistikës rrugore dhe rregullave të qarkullimit rrugor, kontrolli i gjendjes teknike të automjeteve para udhëtimit dhe mosdrejtimi i tyre nën efektin e pijeve alkoolike.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Korçë, Gjergji Grabocka, tha se Kapshtica ishte zgjedhur si vendi për këtë veprimtari sensibilizuese për shkak të fluksit të madh të qarkullimit të automjeteve dhe për të tërhequr vëmendjen e emigrantëve që kthehen në vendin tonë, duke iu tërhequr vëmendjen që të kufizojnë shpejtësinë e automjeteve dhe të shmangin aksidentet rrugore.
Gjatë muajit korrik në Rajonin e Korçës, janë regjistruar shtatë aksidente automobilistike rrugore, ku ka patur edhe dy humbje jete./ch/