Lsi: Marrëdhëniet Mes Presidentit Dhe Kuvendit, Në Bazë Të Kushtetutës
TIRANË, 31 Korrik/ATSH- A.Gegvataj /.- Lëvizja Socialiste për Integrim ka komentuar debatin mes Partisë Demokratike dhe Presidencës për shkeljen e afateve kushtetuese për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka përfunduar që në 4 qershor.
"Në emër të LSI-së deklaroj se raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit dhe qeverisë, mes Presidentit dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës, dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit", tha të shtunën për mediat sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.
Sipas tij, çdo gjë në raportet midis pushteteve është raport nëpërmjet kushtetutës. Çdo qëndrim duhet kushtëzuar nga kushtetuta dhe çdo qëndrim duhet motivuar me respekt dhe me zbatimin e kushtetutës.
Rama i quajti të pabaza disa shkrime në gazeta që paralajmërojë krizë mes aleatëve në qeverisje, më konkretisht mes PD-së dhe LSI-së.
"Ka pasur raste kur kemi mbajtur qëndrim të ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike, si me rastin e votimit të disa kandidaturave të sjella nga Presidenti i Republikës. Ka qenë qëndrim i ndryshëm për shkak të bindjes sonë të së drejtës së presidentit, e shprehur kjo përmes dekreteve të tij për të shprehur emrat që do të përbënin Gjykatën e Lartë, apo çdo pushtet tjetër që ka nevojë për emra që vijnë nga Presidenti", tha Rama.
Duke theksuar nuk ka asnjë shenjë të krisjes apo të krizës në marrëdhëniet midis partnerëve në qeverisje, ai nënvizoi se ne i respektojmë sensibilitetet dhe qëndrimet e ndryshme tona dhe të PD-së dhe nga ana tjetër kemi gjetur të njëjtin sensibilitet dhe luajalitet edhe në qëndrimet e PD-së ndaj votimeve ndryshe, apo ndaj qëndrimeve ndryshe të mbajtura nga LSI-ja. /a.ke/