Andorra la Vella, 31 korrik, NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka zhvilluar sot të parën vizitë të një kryediplomati shqiptar në Principatën e Andorrës.
Gjatë këtij takim Meta zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Marrëdhënieve Institucionale të Andorrës, Xavier Espot Miro.
Gjatë bisedës mes dy delegacioneve që u zhvilluan në selinë e qeverisë së Principatës së Andorrës të dy ministrat ranë dakord në konkretizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushat me interes të përbashkët si turizmi, bankat, mjedisi, infrastruktura etj., nëpërmjet krijimit të një kuadri të plotë ligjor.
Pala shqiptare do të përgatisë projektet e marrëveshjeve dypalëshe në secilën nga fushat e përmendura.
Ministri Meta e informoi homologun andorren lidhur me progresin e bërë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, liberalizimin e shpejtë të vizave dhe përfitimin së shpejti të statusit të vendit kandidat.
Gjithashtu Meta ka folur dhe për rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet me të gjithë vendet e rajonit.
Ai u shpreh se, vendimi i ditëve të fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës do t’i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon
Ministri i Jashtëm andorren Espot Miro u shpreh se “jam shumë krenar për faktin që vizita juaj është e para e një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra dhe kjo përbën një datë historike për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje në zhvillimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Andorrës në të ardhmen.
NOA