English

Pakistan - Brukseli Zhbllokon Një Ndihmë Prej 30 Milionë Eurosh

BRUKSEL, 31 korrik /ATSH-AFP/ - Komisioni Evropian njoftoi sot zhbllokimin e 30 milionë eurove ndihmë humanitare për Pakistanin, nga e cila mund të përfitojnë veçanërisht të prekurit e përmbytjeve të rënda lidhur me shirat e musoneve. Ndihma, që përfshin tenda dhe produkte bazë (batanije, medikamente), jepet veçanërisht për personat e shpërngulur në verilindje të vendit, por prej saj mund të përfitojnë edhe të prekurit nga përmbytjet, shtoi Brukseli në komunikatë. Përmbytje dhe rrëshqitje toke të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të musoneve kanë shkaktuar më tepër se 400 të vdekur dhe kanë prekur më tepër se 600 persona brenda tri ditëve në Pakistan, njoftojnë autoritetet në një bilanc të dhënë dje. "Pakistani është përfshirë nga përmbytje të tmerrshme dhe shërbimi meteorologjik ka njoftuar për reshje të tjera shiu", komentoi komisionerja e ngarkuar me ndihmën humanitare Kristalina Georgieva. "Jam e kënaqur që vendimi ynë për të dhënë më tepër ndihmë humanitare për personat më të prekur në Pakistan mund të ndihmojë edhe persona të prekur nga kjo katastrfofë". theksoi ajo. Duke përfshirë fondet e reja të zhbllokuara, Komisioni dha 101,25 milion euro ndihmë për Pakistanin gjatë 12 muajve të fundit. /I.Pu.
KOMENTE