English

PDI: Dosjen e tragjedisë çame, për herë të parë e çuam në Kongresin Amerikan

Tiranë, 31 korrik, NOA – Njohja e politikë-bërësve amerikanë me çështjen çame, si edhe inicimi i një rezolute për këtë çështje në Kongresin Amerikan, ka qenë misioni i vizitës që një delegacion i nivelit të lartë i Partisë Drejtësi për Integrim, zhvilloi gjatë datave 19-24 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi bëhet me dijeni nga burimet zyrtare të kësaj force politike, të cilët sqarojnë se ky delegacion i përbërë nga Tahir Muhedini, kryetar i PDI dhe Indrit Hamiti, anëtar i Kryesisë, zhvilloi një vizitë pune në Kongresin Amerikan Uashington D.C.

Për herë të parë, në historinë e Shqipërisë, Partia për Drejtësi dhe Integrim prezantoi në Kongresin Amerikan dosjen e tragjedisë çame.

Bëhet me dijeni gjithashtu se gjatë kësaj vizite, delegacioni u takua me kongresmenët Steny Hoyer dhe Alcee Hastings, ky i fundit drejtues i Komisionit Amerikan i Helsinkit.

Por krahas tyre, delegacioni pati kënaqësinë të takohet edhe me Robert Hand, këshilltar politik, specialist i Ballkanit në Komisionin Amerikan të Helsinkit; senatorin Mark Pryor etj.

Në këto takime, delegacioni i PDI, duke shprehur besimin tek SHBA si përkrahësi më i madh i të drejtave të njeriut, u prezantoi bashkëbiseduesve një dosje informative mbi genocidin e ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme çame, si edhe një tablo të situatës aktuale.

Kjo çështje u prezantua si një shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e qeverive greke të djeshme dhe të sotshme.

Nga ana e tyre, politikë-bërësit amerikanë e pritën me interes këtë çështje. Ata shprehen keqardhjen për këtë tragjedi dhe plagë të pambyllur të historisë.

Pas bisedave, disa prej kongresmenëve shprehën interes për t’iu bashkuar “Albanian Issue Caucus” (Grupi parlamentar për Çështjet Shqiptare), grup që sot përbëhet nga 25 kongresmenë.

Ata morën përsipër që shumë shpejt për këtë çështje ambasadori i Greqisë në SHBA të merret në pyetje dhe njëkohësisht t’i transmetohet kjo ambasadorit të SHBA në Greqi.

Shumë i rëndësishëm është fakti që disa prej kongresmenëve konfirmuan vullnetin pozitiv për të iniciuar një rezolute për këtë çështje në Kongresin Amerikan.

Ata u angazhuan që në fillim të vitit që vjen, ta fusin Shqipërinë në axhendën e vizitave të tyre në rajon, me qëllim kontakte direkte me komunitetin çam dhe njohjen e thelluar me problemet e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE