English

Përmbledhje - Moti I Keq - Përmbytjet Shkatërrojnë Azinë Ndërkohë Që Rusia Digjet Nga I Nxehti

- Me qindra viktima në Afganistan, Pakistan dhe Kinë - ROMË, 31 korrik /ATSH-ANSA/ - Prej javësh tashmë moti i keq po trondit Azinë dhe Rusinë. Të shumta vendet e Azisë jugore dhe Kinës që janë goditur nga përmbytje shkatërrimtare që po shkaktojnë një numër në rritje viktimash dhe të zhdukurish, ndërkohë që Rusia digjet për shkak të një vale të nxehti të paprecedentë. Në Afganistan më shumë se 90 persona kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit në Provincat Parwan, Laghman, Kapisa dhe Khost, duke e detyruar qeverinë e presidentit Hamid Karzai të kërkojë ndërhyrjen e ushtrisë. Në Pakistan, në provincën veriperëndimore të Khyber-Pakhtoomkhwa, bilanci i përgjithshëm i viktimave për shkak të përmbytjeve i ka kaluar 800 personat. Islamabadi ka angazhuar shtabet e emergjencave dhe ushtrinë për t'i ardhur në ndihmë një milionë personave që janë prekur nga përmbytjet. Edhe Bashkimi Evropian ka vendosur të kontribuojë me tridhjetë milionë euro ndihma humanitare. Shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan kanë izoluar qendrat e banuara, me ndërprerjen e gati të të gjitha rrugëve të komunikimit. Lumi Khunar ka shembur një urë që ka shkaktuar izolimin e mijëra turistëve për të cilët është interesuar personalisht presidenti Asif Ali Zardari, duke e urdhëruar ministrin e Brendshëm, Rehman Malik, për të bërë gjithçka që t'i kthejë ata në shtëpi. Rreth 50-të turistë koreanojugore kanë mbetur të bllokuar për orë me radhë në Kinë, në provincën verilindore të Liaoningut. Dhe gjithmonë në lindje të vendit, në provincën Jilin, janë shënuar 37 viktima për shkak të përmbytjeve, të cilat vlerësohen se janë më të rëndat në dhjetëvjeçarët e fundit. Tridhjetë e pesë janë shpallur të zhdukur dhe 364 mijë të tjerë janë evakuuar. Në këtë zonë prej dy ditësh qindra ushtarakë dhe civilë po përpiqen të mbledhin 7000 fuçi që janë marrë nga uji, një pjesë e të cilave me përmbajtje gazi tepër shpërthyes, dhe kanë përfunduar në lumin Songhua. Ndërkohë ushtarakët kanë bllokuar 12 anijet që kishin thyer pengesat dhe rrezikonin të përplaseshin në digën e hidrocentralit të Fengmanit. Në Rusi, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, zjarret kanë shkaktuar 28 viktima dhe 3500 persona të tjerë janë evakuuar. Janë shkatërruar më shumë se 1200 banesa, ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të shënojnë rekorde që nuk ishin parë në 130 vjet. Të paktën 1200 kilometra katrorë pyje dhe zona të gjelbra janë djegur dhe situata vazhdon të mbetet e vështirë, ashtu siç ka pranuar vet kryeministri Vladimir Putin. Gjendja e emergjencës është shpallur në 14 nga 83 distriktet federale që përbëjnë Rusinë dhe 240 mijë njerëz janë angazhuar në luftën kundër zjarreve. /e.v/
KOMENTE