English

Shkoder: Se Shpejti, Terminal Bashkekohor Per Autobuzet

SHKODËR, 31 Korrik/ATSH-G. Marku/- Shkodra do të ketë shumë shpejt një terminal bashkëkohor për autobuzët. Shtimi me ritme të larta i mjeteve të transportit interurban, destinacionet e të cilëve janë që nga ato lokalet, kombëtaret për të vijuar edhe me disa ndërkombëtare, e ka bere të domosdoshme një gjë të tillë. Deri tani, stacioni i këtyre mjeteve, sidomos atyre me destinacion Tiranën dhe qytetet kryesore të Shqipërisë, ka qënë në qëndër të qytetit, pranë sheshit të Radio Shkodrës, por me investimet më të reja infrastrukturore, bashkia ka projektuar grupimin e të gjithë mjeteve të transportit interurban në një terminal shumë funksional. Vendndodhja e tij është planifikuar në sheshin në mes stadiumin "Loro Boriçi" dhe pallatit të sportit "Qazim Dervishi", në krahun e majtë të rrugës "Bujar Bishanaku", rreth 300 metër nga qëndra e qytetit, ku ditët e fundit kanë filluar punimet nga shoqëria e ndërtimit S.M.O konstruksion. Shefja e Sektorit të Urbanistikës pranë Bashkisë së Shkodrës, Aida Shllaku, thotë për ATSH-në se "sheshi ka një sipërfaqe prej 3500 metër katror dhe shndërrimi i tij në terminal do të ndikojë së tepërmi në disiplinimin e qarkullimit të autobuzëve duke lehtësuar në të njëjtën kohë qëndrën e qytetit, që shoqërohej me një konfuzion të vazhdueshëm". Sipas saj, fondi i akorduar nga bashkia e Shkodrës prej 11 milion lekësh, do të bëjë të mundur realizimin e punimeve nëntokësore me kanalet e shkarkimit të tubacioneve të ujrave të bardha, shtrimin e tubave për shërbimet nëntokësore elektrike, dixhitale dhe telefonike, ndërtimin e trotuarave, ndriçim, gjelbërim etj. /a.ke/
KOMENTE