Shqipëri-Andorrë, Konkretizim Të Marrëdhënieve Me Projekte Dypalëshe
TIRANË, 31 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/- Shqipëria dhe Principata e Andorrës do të konkrektizojnë marrëdhëniet në fushat me interes të përbashkët si turizmi, bankat, mjedisi, infrastruktura etj, nëpërmjet krijimit të një kuadri të plotë ligjor. Për këtë qëllim, pala shqiptare do të përgatisë projektet e marrëveshjeve dypalëshe në secilën nga këto fusha.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtëm, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë zyrtare në Principatën e Andorrës, ku u prit nga ministri i Jashtëm dhe i Marrëdhënieve Institucionale të Andorrës, Xavier Espot Miro.
Shefi i diplomacisë së Andorrës vlerësoi vizitën e parë të një ministri të Jashtëm shqiptar në Andorra duke e konsideruar si një datë historike për marrëdhëniet midis dy vendeve, duke shtuar se kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje në zhvillimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Andorrës në të ardhmen.
Në bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta e njohu homologun andorren me progresin e bërë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimin e shpejtë të vizave dhe përfitimin së shpejti të statusit të vendit kandidat.
Gjithashtu, shefi i diplomacisë shqiptare e informoi homologun e tij për situatën në rajon dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet me të gjithë vendet e rajonit.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi se vendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës do t'i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon./s.s./