Vijon Debati Për Emërimin E Kryetarit Të Gjykatës Kushtetuese
- Përmbledhje -
TIRANË, 31 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Debati i hapur mes institucionit të Presidencës dhe maxhorancës së djathtë për çështjen e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar reagime dhe intepretime nga ana e juristëve dhe konstitucionalistëve.
Mosdekretimi brenda afateve ligjore i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kreu të shtetit, ka nxitur polemikat politike të ditës rreth kushtetuetshmërisë për çështjen në fjalë.
Maxhoranca është e bindur se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën duke mos sjellë në Kuvend dekretin e emërimit të kryetarit të një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë në vend.
Sipas deputetit demokrat, Viktor Gumi "me këtë vakum të krijuar nga Kushtetuesja në zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të saj, po zhduket koncepti i mandatit, duke qënë tashmë pa kufizim".
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Thimio Kondi, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. "Eshte e pajustifikueshme që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të mbeten pa kryetar. Duhet të zgjidhet kreu i Kushtetueses, një gjyqtar me eksperiencë të madhe dhe mundësisht nga sfera akademike", është shprehur ai.
Sipas tij, shtyrja për në shtator e emërimit të kreut të Kushtetueses nga ana e Presidentit për shkak të mungesës së anëtarëve në këtë institucion, është e pavlerë, në një kohë kur katër prej tyre u ka përfunduar mandati kushtetues.
Konstitucionalisti Luan Omari shprehet se pa kryetar juridik, puna në Kushtetuese mund të quhet 'e bllokuar'. "Në fakt Gjykata Kushtetuese bllokohet pa kryetar. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, parashikon qe kryetari i saj duhet zëvendësuar dhe nuk parashikon qëndrimin e tij në detyrë derisa të zëvendësohet", shprehet ai. .
Debati rreth shkeljes së afateve ligjore për emërimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe 4 gjyqtarëve të nisi tre ditë më parë mes përfaqësuesve të PD-së dhe Presidencës së Republikës.
Sipas PD-së, kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën, pasi kryetari i ri i kësaj Gjykatës Kushtetuese duhej të ishte emëruar më 4 qershor, datë kur mbaronte mandati i kryetarit Vladimir Kristo.
"Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar, si dhe nje fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor", deklaroi deputeti i PD-së Eduard Halimi pak ditë më parë.
Ai i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, insititucioni që është garant i Kushtetutës dhe njëkohesisht kërkoi thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij.
Sipas ligjit, Presidenti propozon përmes dekreteve të emërimit kandidaturat për postet vakante, te cilat më pas miratohen në Kuvend.
Në reagimin e saj, Presidenca deklaroi se "vonesat në mosemërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive në Kuvend dhe jo për faj të Presidentit".
Këshilltari ligjor i Presidentit Spiro Peçi, pas akuzave të maxhorancës, spjegoi se "Presidenti në vazhdimësi, jo vetëm që i është përmbajtur seleksionimit të kandidaturave në bazë të kritereve ligjore dhe atyre të përcaktuara nga grupi i ekspertëve, por ka bërë përpjekje që, pjesë e këtij procesi të bëhet dhe politika shqiptare, me qëllim përshpejtimin e tij".
Në emër të Presidencës së Republikës, këshilltari Peçi konfirmoi se kompletimi i Gjykatës Kushtetuese me anëtarë të rinj, përfshi dhe kryetarin e saj, do të zhvillohet në fillim të muajit shtator, kohë kur nis punimet dhe sesioni i ri parlamentar.
Gjykata Kushtetuese sipas ligjit themeltar të shtetit, garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Ajo përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
Sipas nenit 124 të Kushtetutës, përbërja e kësaj Gjykate përtërihet çdo tre vjet në 1/3 e saj sipas procedurës së caktuar me ligj. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë 3-vjeçare. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, i ka mbaruar mandati më 4 qershor. Ligji e parashikon që ai të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Përgjegjësia e kryetarit të kësaj gjykate është dhe administrative, pasi ai drejton aktivitetin e gjithë Gjykatës dhe jo vetëm procesin gjyqësor.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 12 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", përgatit, thërret dhe drejton seancat plenare të kësaj gjykate, bashkërendon punën mes gjyqtarëve, përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët, nënshkruan aktet e saj dhe drejton punën e administratës së saj.
Sipas po këtij ligji, kryetari ka të drejtë të rizgjidhet sërish në krye të këtij institucioni. Vladimir Kristo e mori mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007 dhe në 7 qershor të po atij viti u zgjodh kryetar i saj. Ndërkaq, 4 gjyqtarët Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza tashmë janë pa mandat.
Në zbatim të plotë të ligjit, janë vetëm gjyqtarët e sapozgjedhur Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, të cilët u votuan pak kohë më parë në Kuvend./n.m/