Freski Dhe Mesjete Në Voskopojë
DURRES, 1 Gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/. Voskopoja është destinacioni turistik që kanë zgjedhur shumë pushues, të cilët bashkë me freskinë e malit preferojnë vizitat në monumentet mesjetare të vendbanimit që daton që në shekullin e 14-të.
Pjesa më e madhe e pushuesve janë familjarë vizitorë të përvitshëm të Voskopojës, thanë për ATSH-në drejtuesit e hotelit të ndërtuar në ish-godinën e kampit të punëtorëve. Banesa e ndërtuar me gurë në vitin 1954 dhe që ndodhet në një nga pikat dominuese të Voskopojës është restauruar ndërsa pranë saj mes gjelbërimit janë ngritur vila të vogla, mjaft të përshtatshme për jetesën disaditore të familjeve prania e të cilave është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Ilir Q. nga Durrësi thotë se vjen çdo vit për motive shëndetsore. "Së bashku me familjen vitet e fundit jam vendosur në një shtëpitë e voskopojarëve që i kam miq tashmë dhe ndjehem mjaft mirë-vijon ai.
Ajri i pastër me vlera kurative në pyjet që mbulojnë të gjithë zonën me lartësi rreth 1200 metra mbi nivelin e detit janë një tërheqje shumë e mirë për moshat e thyera, ndërsa të rinjtë dhe fëmijët gjejnë mundësi për shëtitje të gjata dhe vizita në kishat e shumta disashekullore që rrethojnë Voskopojën.
Prej 6-7 vjetësh Voskopoja ka hyrë në programet e mbështetjes së specializuar për mbrojtjen e monumenteve të financuara nga SHBA dhe Franca, ndërsa nuk mungojnë projektet e vogla të realizuara nga Instituti i Monumenteve si dhe nga donatorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.
Voskopojarët që emigruan në fillim të viteve 1990 kryesisht në Greqi po investojnë kursimet e tyre për rikonstruksionin dhe restaurimin e banesave të tyre, mjaft prej të cilave kanë vlera arkitekturore të veçanta.
Qyteti mesjetar ndodhet 21 km larg qytetit të Korçës dhe rikonstruksioni e zgjerimi i pjesës malore të saj prej 10 km që përfundon në qytetin mesjetar ka shkurtuar dhe lehtësuar ndjeshëm udhëtimin drejt një prej qendrave më të njohura të turizmit malor në vendin tonë.
/f.n/