English

Greqia si zonë lufte, priten protesta të reja

Athinë, 1 gusht, NOA - Forcat greke të sigurisë kanë ngritur shqetësimin se një valë e re dhune, e ngjashme me atë që preku Italinë në vitet ’70, rrezikon Greqinë. Një grup i guerriles urbane ka kërcënuar javën e shkuar ta kthejë vendin në “zonë lufte”.

“Greqia ka hyrë në një fazë të re të dhunës politike nga organizatat anarkiste që janë më vdekjeprurëse, më të rrezikshme, më të afta dhe dyshuese ndaj gjithçkaje, si asnjëherë më parë”, thotë Atanasios Drugas, analist i çështjeve të mbrojtjes dhe kundërterrorizmit në Athinë.

“Këto grupe nuk shqetësohen për viktimat rastësore, siç mund të jenë kalimtarët e rastit të vrarë gjatë operacioneve të tyre. Ata janë jashtëzakonisht ekstremistë”, thotë Drugas.

Grupi guerril i quajtur “Sekti Revolucionar” mori përsipër vrasjen e disa javëve më parë të gazetarit hulumtues, Sokratis Golias, dhe premtoi se do ta kthejë Greqinë në zonë lufte.

Grupi në fjalë ka pohuar se do të rrisë numrin e sulmeve ndaj policisë, biznesmenëve, gardianëve të burgjeve, mediave të korruptuara dhe për herë të parë edhe ndaj pushuesve.

“Turistët duhet ta mësojnë se Greqia nuk është më një parajasë e sigurt e kapitalizmit”, thuhet në deklaratën e grupit “Sekti Revolucionar”.

“Ne synojmë ta kthejmë Greqinë në një zonë lufte me aktivitete revolucionare, zjarrvënie, akte sabotazhi, protesta të dhunshme, bomba e vrasje dhe jo një vend që është vend pushimi dhe kënaqësie”.

Deklarata shoqërohej me foto të armatimit të grupit. Kërcënimet terroriste në Greqi vijnë në kohën kur ky vend po përballet me greva dhe një krizë të rëndë ekonomike.

“Sekti Revolucionar” doli si organizatë gjatë protestave që u shkaktuan pas vrasjes së të riut Aleksis Grigoropulos nga policia, në dhjetor të vitit 2008.

“Ne nuk bëjmë politikë, ne bëjmë luftë politike”, thanë anëtarët e grupit përpara varrit të adoleshentit të vrarë.

“Kriza ekonomike padyshim ka luajtur rol në përkeqësimin e situatës”, thotë Mihail Krisohodis, ministër i ngarkuar për sigurinë publike.

Zyrtarët e sigurisë pohojnë se është vetëm çështje kohe kur të tria grupet guerrile që veprojnë në Greqi, do të godasin sërish.

Më shqetësuese, sipas tyre, është lidhja që grupet kanë me rrjetet kriminale në Ballkan, të cilat u mundësojnë atyre armatim.

Analisti Drugas thotë se situata në Greqi është shumë e paparashikueshme dhe turistët duhet të jenë vigjilentë.

NOA/RFE

KOMENTE