Kakavijë, 1 gusht, NOA – Kapet një shtetas i shpallur, dhe i dënuar me 5 muaj burg për vjedhje në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për 18 vjeçarin Tauland Ereqi, nga Fieri.
Burime nga policia kufitare e Kakavijës, thanë për agjencinë NOA se Taulant Ereqi, ishte deportuar nga policia greke rreth orës 15.00 të ditës së sotme.
Pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, rezultoi se Taulant Ereqi ishte person i shpallur në kërkim pasi, Prokuroria e Vlorës, më datën 18.01.2010, kishte lëshuar urdhërin për Ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit të Vlorës, e cila më 04.11.2009, e kishte dënuar 18-vjeçarin me 5 muaj burg për vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i Taulant Ereqit u bë pas hyrjes së tij në tokën shqiptare.
Efektivat e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë së Kakavijës, thanë për agjencinë NOA, se krahas punës, për përballimin e fluksit të emigrantëve, turistëve dhe vizitorëve, që po dynden në vendin tonë për të kaluar pushimet, po bëhet një punë e mirë edhe në drejtim të kapjes së personave të shpallur në kërkim.
Sipas policisë së Kakavijës, konkretisht “efektivat e policisë kufitare në Kakavijë, gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2010 kanë kapur 40 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale.
mit/NOA