English

Letër Adem Demaçit

“Shteti mezi po merr frymë. Korrupsioni dhe krimi, nepotizmi dhe hajnia janë pjesë e përditshmërisë. Aq keq janë punët sa kemi rënë në mëshirën e thashethemeve të mejhaneve të kryeqytetit saqë herë flitet për bastisje e arrestime e herë për peshkaqenë e tash edhe balena... Një situatë e rëndë. Frikësuese”.

Nga Beqë Cufaj

I nderuari Bacë,

Posa kam përfunduar së lexuari Biografinë (e paautorizuar) të Shkëlzen Gashit për jetën dhe veprën Tuaj. Një libër, i cili jo vetëm që ia vlen të lexohet, por edhe duhet të lexohet. Një rekomandim për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për personalitetin e Adem Demaçit, por edhe rrethanat historike, politike e socio-kulturore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi përgjatë më shumë se pesë dekadave me radhë.

Ju, Adem Demaçi, jeni njëri prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar dhe është jo vetëm krenari, por edhe nder i madh që ju kemi pasur dhe ju kemi! Një Adem Demaç është një dhuratë nga Zoti për një komb të shtypur e të terrorizuar me radhë.

Duke e lexuar librin në fjalë dhe sidomos pas përfundimit të tij një pyetje a dilemë kam pasur dhe vazhdoj ta kem: çfarë ta ketë shtyrë një të ri shqiptar që me krejt forcën e tij intelektuale dhe vizionin për kombin, pjesëtar i të cilit është- t’i rezistojë një aparati shtetëror e ushtarak, politik e ekonomik duke grumbulluar rreth vetes bashkëmendimtarë e të rinj të tjerë të cilët dalëngadalë, por sigurt vetëm sa shtoheshin si ca rrathë magjikë, të cilët me rënien e perdes së hekurt dhe lirimin tuaj nga kazamatet serbe i ngjanin një muri të pakapërcyeshëm jo vetëm për shtetin serb, por për çdokënd në këtë rruzull tokësor, sepse ishin ndjenja dhe vullneti për lirinë ato që rrezatonin në qendra të mëdha vendosëse, por edhe në opinionin botëror!

Vetëm fakti se si Ju, Bacë, merrnit guximin edhe gjatë ballafaqimit të madh shqiptaro- serb, nga fundvitet 80 e më pas, të dilnit kundër shumë huqeve e mashtrimeve, përfitimeve e gabimeve të kastave e klasave tona politike e intelektuale dhe t’ua thoni ku e kanë gabim (edhe aty ku nuk keni pasur të drejtë!) flet sërish për vizionin tuaj.

Parapërgatitjen për fërkimet demokratike dhe rrymat e ndryshme politike brenda një shoqërie dhe tash edhe shteti.

Guximi juaj për të marrë postin e zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mes të Prishtinës dhe Kosovës së përgjakur tashmë është shkruar me shkronja të arta. Prandaj, nuk kemi si të mos e pranojmë që një prej pak punëve dhe vendimeve të mençura të kësaj qeverie ka qenë dhe është ai i “sigurimit” tuaj me përcjellje e shofer, pagë mujore e rehati!

Një vendim sa i pazakontë për neve aq i vetëkuptueshëm për krejt kombet e shtetet që ua njohin sakrificën dhe hakun personaliteteve si juaji.

Duke mos u parë edhe aq shpesh në media dhe takime të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë politikën tonë të përditshme në Republikën e Kosovës, kam dëgjuar që kaloni goxha shumë kohë në jugun e Shqipërisë.

Nuk e besoj që intelekti dhe pasioni juaj për “punët e kombit” të mos ju lejojë t’i përcillni zhvillimet rreth Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, fare telegrafikisht mund t’ju informojmë për lajme të mira, por edhe të këqija.

Po e fillojmë me të parat: shteti ynë tashmë edhe me tapi nga Gjykata më e rëndësishme e rruzullit tokësor- ajo e Drejtësisë Ndërkombëtare. Lajme tjera të mira nuk kemi.

Sepse këta “tanët” po thonë që kanë strategji për përshpejtim njohjesh të reja- por po dyshojmë në këtë dhe dita- ditës këto dyshime vetëm sa do shtohen. Lajmet tjera janë edhe më të këqija.

Shteti mezi po merr frymë. Korrupsioni dhe krimi, nepotizmi dhe hajnia janë pjesë e përditshmërisë. Aq keq janë punët sa kemi rënë në mëshirën e thashethemeve të mejhaneve të kryeqytetit saqë herë flitet për bastisje e arrestime e herë për peshkaqenë e tash edhe balena...

Një situatë e rëndë. Frikësuese. Sepse mundin tuaj dhe të shokëve tuaj, djersën dhe gjakun e mijëra shqiptarëve që kanë luftuar po e nëpërkëmbin në mënyrën më bizare të mundshme.

Prandaj Bacë, sikur ta gjenit pak kohë dhe të merrnit mundin që me forcën e fjalëve tuaja pa pardon edhe t’ua thoshit?... Pa autorizim-kuptohet!

KOMENTE