English

Mbetjet Nga Pajisjet Elektrike Dhe Elektronike, Rrezik Për Mjedisin Dhe Shëndetin E Njerëzve

- - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave ka hartuar dhe hedhur për diskutim projekt-vendimin për trajtimin e këtyre mbetjeve - TIRANË, 1 Gusht/ATSH-Eriola Çuko/ - Pajisjet elektrike dhe elektronike, si dhe mbetjet e tyre, të shtuara më së shumti kohët e fundit, gjenden të hedhura në vende të ndryshme, duke përbërë rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Deri tani në vend nuk ka pasur një kuadër ligjor për trajtimin e mbetjeve të tyre, si dhe kulturë qytetare për administrimin mjedisor të mbetjeve elektronike dhe elektrike. "Në vendin tonë po duken qartë problemet mjedisore të pajisjeve elektrike dhe elektronike. Për këtë jemi pikërisht në kohë për të patur një kuadër ligjor bashkëkohor për trajtimin mjedisor të tyre, në përputhje me standardet europiane", thanë për ATSH-në burime nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave. Ndërsa, trajtimi mjedisor i tyre ka vite që ka filluar në vendet e zhvilluara europiane, veçanërisht ato industriale, edhe MMPAU tashmë ka hartuar dhe hedhur për diskutim projekt-vendimin për trajtimin mjedisor të mbetjeve nga pajisjet elektrike dhe elektronike. Qëllimi i këtij vendimi është pikërisht mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit përmes minimizimit të ndikimeve negative nga mbetjet e pajisjeve elektronike dhe elektrike. Vendimi synon të parandalojë mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike, si dhe të ripërdorë, riciklojë dhe të nxisë forma të tjera rikuperimi të këtyre mbetjeve. Projekt-vendimi është strukturuar në 17 kapituj, duke tentuar për t'i grupuar çështjet sipas elementëve të përbashkët brenda të njëjtit titull. Nga objektet e veprimit të këtij projekt-vendimi përjashtohen pajisjet që lidhen me mbrojtjen e interesave kombëtare të sigurisë së Shtetit, armët, municionet dhe materialet e luftës./s.s./
KOMENTE