Në Mjekës Nga Kinezët Deri Ne Demontimin E Municioneve
ELBASAN, 1 Gusht/ ATSH-Miranda Sadiku/- Në vitin 1963, kinezët ndërtuan në fshatin Mjekës rreth 4 kilometra larg Elbasanit, Uzinën e Lëndëve Plasëse si një uzinë ushtarake, e cila do të prodhonte lëndë plasëse për ushtrinë.
Ajo u ndërtua në dy faza, e para në vitin e ndërtimit, dhe faza e dytë në vitin 1982, kur një linjë suedeze ngriti linjën e prodhimit të municioneve të eksplozivave të lartë deri në vitin 1997.
Drejtori i Uzinës së Mjekësit Danjel Karanxha duke ju referuar dokumentave të arkivuara thotë se " fillimisht prodhimi ishte i kufizuar, vetëm në anomit malor dhe anomit qymyrguri, si dhe disa prodhime ushtarake.
Në vitin 1973 Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës u zgjerua dhe përmirësoi teknologjinë, shtoi linjën e prodhimit të të gjitha llojeve të barutit të zi, dhe dy tipat e fitilave zjarrpërcjellës, civil e ushtarak. Për një periudhë dhjetë vjeçare prodhimi i uzinës, erdhi në rritje duke përballuar nevojat e vendit dhe zvogëluar importin. Në vitin 1980, Uzina ristrukturohet, zgjerohet dhe pajiset me një teknologji bashkohore, duke u kthyer në kombinat ushtarak, por që nuk u trajtua si i tillë.
Në këtë hark kohor filloi edhe prodhimi i artikujve të rinj, për herë të parë në Shqipëri si tritoli, nitroglicerina, dinamimi, trotili, nitroceluloza, me parametrat e standarteve botërore, duke konkuruar në tregjet e jashtme të botës perëndimore të shumë vendeve, përfshirë edhe SH.B.A.
Mbas vitit 1990 Uzina uli në minimum prodhimin dhe në fundshekullin e XX shkoi drejt mbylljes.
- Fillim shekulli XXI, rinis demontimi në Uzinë-
Në dhjetë vjeçarin e fundit të shekullit të XX kjo uzinë nuk funksionoi më për prodhimin e lëndëve plasëse, por në vitin 2001 u angazhua në demontimin e municioneve të tepërta që ka vëndi. Projekti i parë ka qenë projekti 2001 - 2002, projekt i minave antipersonel, ku uzina ka demontuar 1 milion e 600 mijë copë.
Projekti i dytë ka filluar në vitin 2003 - 2004 kur është bërë demontimi i granatave me bisht druri, dhe janë demontuar rreth 2 milion copë. Po në vazhdim të projektit ka qenë dhe ai i demontimit të municioneve të armëve të lehta siç kanë qenë fishekët me model 56, 12.7 dhe 14.5 milimemtra.
Uzina me këtë projekt ka punuar përreth dy vjet dhe ka demontuar rreth 5 mijë ton. Gjithsej gjatë proçesit të demontimit uzina ka demontuar rreth 8500 ton.
Mbas daljes së urdhërit të Ministrisë së Mbrojtjes, Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës u angazhua në ngritjen e një linje të re demontimi, pikërisht në ngritjen e linjës së demontimit të predhave të murtajës 160 milimetra, një linjë e ngritur me forat e stafit të uzinës, me mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Në vitin 2005 e deri në muajin shtator të vitit 2007 uzina ka demontuar 104.825.354 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa sërisht në vitin 2005 u krye edhe investimi i madh prej 3.000.000 ku u bë e mundur vendosja e furrës së djegies e cila është më emkra që ka sot vendi, mundësuar nga
N.A.M.S.A.S.
Drejtori i Uzinës Daniel Karanxha shton se " vetëm gjatë këtij viti në Uzinën e Mjekësit janë realizuar një sërë investimesh të cilat do të shërbejnë për demontimin e municioneve. Një prej tyre është vënia në punë e dy sharrave prerëse industriale, që do përdoren për të shkatërruar municionet e tepërta.
Këto sharra janë dhuratë e qeverisë Daneze, dy prej të cilave në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Elbasan, dhe katër të tjera në Poliçan.
Vetëm pak ditë më parë në këtë uzinë u inagurua fillimi i punës së linjës së demontimit të predhave të mortajës 120mm.
Në këtë linjë do të shkatërrohen në dy faza deri në fund të vitit 2013 11.027 ton predha mortaje, gjithashtu së shpejti do të hyjë në funksionim edhe linja për asgjësimin e minave prej bakeliti e cila do të demontojë 2112 ton. Këto dy linja do të shoqërohen në muajin Janar të vitit 2011 nga një linjë e re e cila bën demontimin e predhave unitare të artiljerisë së kalibrit 75 deri 152 mm me një sasi totale prej 7.127 ton".
Përfundimi i këtyre linjave e kthen Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit në një nga uzinat më të rëndësishme ushtarake ku kryhet rreth 67 përqind e demontimit kombëtar në rrugë industriale.
/f.n/