English

Plazh I Ri Në Ish-Guroren E Fshatit Lin

DURRËS, 1 Gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Qindra pushues nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit kanë nisur të frekuentojnë një plazh të ri pranë fshatit Lin në bregun e liqenit të Pogradecit, pikërisht në vendin ku afro 25 vjet më parë nxirreshin gurë për hekurudhën Përrenjas-Pogradec. Në plazhin e ri dhe të këndshëm është ngritur edhe një hotel-restorant i pajisur mirë, drejtuesit e të cilit janë kujdesur veçanërisht për mjediset e hapura për banjo uji dhe dielli. Në këtë plazh mbërrin lehtë jo vetëm nga një rrugë anësore brenda fshatit Lin, por dhe nga rruga nacionale Tiranë-Pogradec. Sapo zbret Qafën e Thanës, mjafton të kthehesh për rreth 500 metra përballë kishës së njohur të Shën Ilias për të qënë më pas në hapësirën e pafund ujore që të fal liqeni i Ohrit. I vendosur në anën e kundërt të fshatit Lin, nga plazhi i ri që ende nuk ka fituar një emër shihen me sy të lirë qytetet e Ohrit dhe të Strugës në anën tjetër të liqenit, si dhe Pogradeci i cili shtrihet rreth 15 km më në jug. Në fakt nga qyteti piktoresk i Lasgushit bie në sy faqja e zhveshur e gadishullit të vogël të Linit, që në mesin e viteve 1970 u shfrytëzua si një gurore e hapur për të nxjerrë materialet e ndërtimit të trasesë hekurudhore të pjesës së fundit të rrugës së hekurt Durrës-Gur i Kuq (Pogradec). Vitet e fundit në këtë pjesë me ujë mjaft të pastër të liqenit të Ohrit, sic njihet në hartat e gjeografisë liqeni më i thellë i Ballkanit, ishin ngritur disa struktura të përkohshme pushimi të cilat i kanë hapur rrugë ndërtimit të një strukture private të pajisur mirë dhe që mund të shfrytëzohet nga pushuesit ditorë si dhe nga ata që preferojnë të kalojnë pushimet larg zhurmës së qyteteve. Nga Lini deri në Pogradec tashmë janë ngritur dhjetra plazhe, hotele dhe fshatra turistike private, mjaft të frekuentuara nga pushues vendas dhe të huaj. /f.n/
KOMENTE