Prishtinë, 1 gusht, NOA – Kompania që ka marrë përsipër organizimin e koncertit të këngëtarit italian, Eros Ramazoti në Prishtinë ka deklaruar se koncerti mund të mbahet në datën 9 gusht në stadiumin e kryeqytetit kosovar.
Zyrtarë të kompanisë UBBOSS kanë konfirmuar diçka të tillë për median kosovare, ndërkohë që ende nuk është bërë zyrtarizimi nga vet këngëtari.
Menaxherja e kompanisë UBBOSS, Armelda Filipaj, ka thënë se gjithçka është në rregulluar dhe është rënë dakord për datën e re.
Sipas saj, ministri Lutfi Haziri i ka dhënë garanci se do ta mbështesë këtë koncert, duke dhënë pagesën prej 15 mijë euro për qiranë e stadiumit të Prishtinës.
“Ministri na ka dhënë garanci dhe ne të hënën do të shkojmë në stadiumin e Prishtinës që me menaxhmentin të nënshkruajmë një kontratë ku do t’i marrim përsipër të gjitha dëmet që do të bëhen gjatë mbajtjes së koncertit”, ka thënë Filipaj.
Shtyrja e koncertit u bë pas kërkesave të drejtuesve të stadiumi për garanci pasurore për dëmet që mund të shkaktoheshin.
NOA