Shkodër, Mbi 200 Mijë Pushues Këtë Fundjavë Në Velipojë
SHKODËR, 1 Gusht/ATSH-G. Marku/. - Mbi 200 mijë qytetarë shkodranë, por edhe shumë të tjerë nga rrethet e afërta, si dhe nga Kosova, populluan sot plazhin e Velipojës, rreth 30 kilometra larg qytetit të Shkodrës. Një pjesë tjetër zgjodhën pikat më të afërta të qytetit, si plazhet e Shirokës dhe Zogajve në bregun e Liqenit të Shkodrës, por edhe të lumejve Buna, Drini dhe Kiri, të cilat po preferohen shumë nga banorët shkodranë.
Burime nga komuna e Velipojës, zyrat e së cilës janë vendosur që prej fillimit të sezonit turistik në qëndër të plazhit, bënë të ditur se falë infrastrukturës mjaft të mirë të krijuar me vënien në shfrytëzim të superstradës Milot-Morinë, kanë filluar të vijnë në masë edhe turistë ditorë nga Kosova.
Në të tilla kushte, strukturat vendore kanë forcuar masat organizative për një shërbim sa më të mire ndaj pushuesve. Një gjë e tillë u ndje dukshëm edhe sot, duke nisur që nga masat e sigurisë rrugore, ku postoblloqet e efektivave të Drejtorisë rajonale të Policisë Rrugore ishin të shumtë, sidomos në zonat me dendësinë më të madhe të qarkullimit të automjeteve, Harku i Berdicës, dhe më pas përgjatë aksit rrugor Shkodër-Velipojë, duke evituar aksidentet.
Por "dora" e një organizimi të mirëfilltë nga ana e komunës së Velipojës, por e mbështetur edhe nga struktura të tjera të qeverisjes vendore në Prefekturën e Shkodrës, vihej re jo pak edhe territorin brenda plazhit, kur kjo e dielë ka ofruar një mjedis shumë më të pastër dhe të sistemuar nga ana higjenike sa asnjë herë tjetër.
Në sinkron me të gjitha këto kanë shkuar sot edhe kushtet e motit, të cilat edhe pse në orët e para të paradrekes kishte pak erë, në orët në vazhdim, koha është përmirësuar ndjeshëm, duke i dhënë mundësi pushuesve të shumtë që të kalojnë një të dielë të këndshme në këtë plazh. Akoma edhe më të këndshme e ka bërë ditën e sotme pushimin në Velipojë, prania për disa orë me radhë e dallgëve, që për shumë pushues, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët ishte një risi, me të cilat ato janë argëtuar jo pak, madje duke bërë edhe fotografi të shumta, sepse raste të tilla janë të pakta në ditët e plazhit./s.s./