Sot Dita E Hyrjes Në Fuqi Të Konventes Për Ndalimin E Minave Kunder Personit
TIRANE, 1 Gusht /ATSH/- Shoqata Shqiptare e të Dëmtuarve nga Municionet Shpërthyese, sot (1 gusht) në ditën kur hyn në fuqi Konventa për Ndalimin e Minave kundër personit, organizoi në Sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, një tubim sensibilizuas për më shumë kujdes dhe vëmendje, nga shteti dhe publiku, për të mbijetuarit nga shpërthimi i minave.
Joniz Kola, drejtues i kësaj shoqate, në një prononcim për mediat u shpreh se, ky aktivitet ka qëllim të rrisë ndërgjëgjësimin e publikut mbi rrezikun e minave dhe municioneve shpërthyese të luftës si dhe eliminimin e tyre.
Duke përshëndetuar miratimin e kësaj konvente nga shteti shqiptare, Kola i bëri apel qeveisë, të rrisë mbështetjen ndaj të dëmtuarve dhe viktimave nga municionet, me qëllim integrimin e tyre, në jetën dhe akivitetin normal .
Konventa është miratuar nga 38 shtete të botës ndërkohë që 138 vende e kanë nënshkruar këtë konventë, e cila parashikon ndalimin e shkëmbimeve të municioneve mes shteteve, pastrimin e zonave të minuara etj.
Në bazë të Konventës për Ndalimin e Minave kundër personit, Shqipëria kishte detyrimin të përfundonte pastrimin e minave anti-njeri në gusht të vitit 2010, ndërsa e realizoi këtë gati një vit para afatit të vendosur.
Në pranverën e vitit 1999, serbët minuan mbi 15 mijë hektarë tokë bujqësore, pyje dhe kullota në rrethet Has, Kukës dhe Tropojë, në zonën e kufirit me Kosovën, në një thellësi deri 20 kilometra në brendësi të territorit të Shqipërisë. Në këtë zonë humbën jetën 24 persona, shumica nga Hasi, ndërsa 240 të tjerë u gjymtuan apo morën plagë të rënda nga shpërthimet. Dëmet materiale, me dhjetëra shtëpi të shkatërruar dhe hektarë të tëra toke të pashfrytëzueshme llogariten në rreth 200 milionë dollarë.
Donatorët më të mëdhenj për procesin e vështirë të çminimit që zgjati 10 vite ishin Bashkimi Europian, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Danimarka, Kanadaja, Franca etj. Grupet e specializuara të çminimit, të vendit dhe partnerë të huaj, asgjesuan rreth 12 mijë mina anti-njeri, mbi 150 mina anti-tank, rreth 5 mijë municione të plasura e kështu me radhë.
Një vijë e kufirit prej 130 km e Shqipërisë me Kosovën quhet tashmë e pastruar nga minat, duke u rikthyer së pari banorëve besimin dhe shpresën e jetës, por edhe turistëve dhe kujtdo tjetër sigurinë që afron një vend anëtar i NATO-s, siç është Shqipëria./e.xh/