Tokë 'E Mbarë' Në Jug
GJIROKASTËR, 1 Gusht/ATSH-Telnis Skuqi/ - Tre vjet më parë u kthye në vendlindje pas një mungese prej 17 vjetësh dhe hapi ndërmarrjen e parë bujqësore, duke mbjellur 10 hektar me luleshtrydhe.
Sot, biznesi i tij është dyfishuar dhe prodhimi i sivjet dhe të ardhurat kanë qenë të mbara.
Thodhori Makri, 31 vjeç, i diplomuar në Greqi në Universitetin e Selanikut, në degën e menaxhimit të prodhimeve bujqësore, nisi të zbatoj projektin e tij, duke marrë një kredi bankare në afërsi të fshatit Vanishter rreth 15 km larg Gjirokastrës.
Pas tre vjetësh, djaloshi zeshkan thotë se kredia është likujduar dy vjet përpara afatit, ndërsa ka punësuar 20 punëtorë, me një rrogë mesatare që varion nga 40 deri në 60 mijë lekë.
"Nuk më besohet se ky biznes më ka eçur mbarë. Në fillim u mendova dy herë, ndërsa tani mendoi ta zgjeroj ", thotë Makri. Ai kujton se survencionimi prej 6 milionë lekë të vjetra të akorduara nga buxheti i shtetit nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ishte një gurë themeli për suksesin e biznesit në sektorin e bujqësisë.
"E fillova këtë sipërmarrje me një sipërfaqe prej 10 dynymësh dhe tashmë administroj 20 dynymë", shprehet Makri, ndërsa nënvizon se prodhimi i sivjetësh mbaroi brenda një kohe të shkurtër, pavarësisht çmimi që varion nga 400-550 lekë kg".
Maktri thotë se tregu është i sigurtë dhe vitin e ardhshëm pretendon që luleshtrydhet t'i eksportojë në Greqi.
"Bujqësia në jug të vendit është e favorshme, ka një mikroklimë mesjetare dhe luleshtrydhet prodhohen dy muaj më shpejt se në Itali dhe Greqi", pohon Makri.
Shemso Lame, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Gjirokastrës, thotë se gjatë periudhës së tranzicionit bujqësia u shoqërua me reforma thelbësore që përfshijnë privatizimin dhe shpërndarjen e tokës, si dhe liberalizimin e tregut.
"Në fshat jeton 57.9% e popullsisë, ndërsa ekonomia bujqësore përbën bazën e të ardhurave për pjesën më të madhe të popullsisë", thotë Lame, ndërsa nënvizion se qarku i Gjirokastrës ka një sipërfaqe prej 2884.32 km katror, prej të cilave 15.67% tokë e punueshme, 29.84% janë pyje, 0.05% livadhe, 33.89% kullota natyrore, 0.38% kullota të kultivuara dhe 20.17% janë zona të ndërtuara.
Lame thekson se vitet e fundit produktet e vendit preferohen nga konsumatorët e rajonit jugor, ashtu siç preferohet shija e tyre.
"Sektori i bujqësisë siguron 53% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke luajtur rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e qarkut të Gjirokastrës", pohon Lame. Sipas tij, pas vitit 1990, pesha e këtij sektori u rrit kryesisht në saj të zvogëlimit të mënjëhershëm të industrisë që falimentoi pothuajse plotësisht.
"Bujqësia në jug të vendit ka pozicion të favorshëm gjeografik. Fatmirësisht popullsia rurale është e arsimuar dhe me kulturë profesionale. Shpërndarja e tokës bujqësore i ka shërbyer përmirësimit të klimës së zhvillimit rural, rritjes së investimeve, nxitjes së veprimtarisë private dhe krijimit të mundësive për vetëpunësim", thotë Lame.
Ai thekson se vitet e fundit buxheti i shtetit ka investuar në përmirësimin sistemit ujitës dhe kulluese, gjë që ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e bujqësisë, sidomos të agrokulturës.
"Sistemet ujitëse dhe kulluese tashmë janë rehabilituar dhe modernizuar. Rritja e investimeve në këtë drejtim ka ndikuar ndjeshëm në rrijten e prodhimit bujqësor", përfundon Lame.
/f.n/