''Washington Post'': Shba Parashikon Vendosjen E Një Sistemi Anti-Raketë Në Evropën Jugore
UASHINGTON, 1 gusht /ATSH-AFP/ - SHBA-ja po përgatitet për vendosjen e një sistemi mbrojtës anti-raketë në pjesën jugore të Evropës në kuadër të masave të konsolidimit të sistemeve të mbrojtjes rajonale kundër sulmeve me raketa nga Irani, njoftoi e përditshmja amerikane ''Washington Post''.
E përditshmja amerikane, që citon zyrtarë të Ministrisë amerikane të Mbrojtjes konfirmoi se Pentagoni është në prag të një marrëveshjeje për vendosjen e një stacioni radar tokësor në Turqi ose Bullgari.
''Vendosja e radarit do të mundësojë që gjatë vitit 2011 të fillojë faza e parë e sistemit mbrojtës antiraketë'', shtoi e përditshmja ''Washington Post".
Në shtator 2009, presidenti amerikan, Barack Obama hoqi dorë nga një projekt për sistemin antiraketë mbështetur nga paraardhësi i tij George W. Bush dhe që parashikonte vendosjen e një radari të fuqishëm në Republikën çeke dhe 10 raketave balistike me rreze të gjatë veprimi në Poloni deri në vitin 2013./
/ec/