English

35 vjet OSBE, Saudabajev: Akti i Helsinkit nuk e ka humbur aktualitetin

Vjenë, 2 gusht, NOA – Pas 35 vitesh, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur aktualitetin.

Kështu deklaroi dje, në përvjetorin e 35-të të themelimit të OSBE-së, Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe njëherësh Sekretari i Shtetit i Kazakistanit, Kanat Saudabajev.

“Në 35 vitet e ekzistencës së tij, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur rëndësinë dhe aktualitetin e tij. Koncepti novator dhe gjithëpërfshirës i sigurisë, që u themelua nga udhëheqësit e 35 shteteve, në Helsinki, mbetet edhe sot një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe bashkëpunimit në zonën e përgjegjësisë së OSBE-së,” theksoi në këtë përvjetor, Soudabajev.

“Njëkohësisht, ndryshimet vërtet tektonike që kanë ndodhur në botë, veçanërisht në vitet e fundit, kërkojnë që shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, dhe pikësëpari e mbi të gjitha udhëheqësit e tyre, të kërkojnë reagime të përshtatshme ndaj këtyre sfidave dhe rreziqeve të reja”, nënvizoi kreu i ri i OSBE-së.

Për këtë arsye, Kryetari i Radhës i OSBE-së, tha se “volia e një samiti të OSBE-së në Astana këtë vit është e vështirë për t’u mbivlerësuar. Synimi ynë është të lëvizim nga koncepti i një 'hapësire sigurie nga Vankuveri në Vladivostok' drejt krijimit të një bashkësie sigurie Euro-Atlantike dhe Euro-Aziatike të vetme”.

Saudabajev, shtoi në këtë kontekst se “Ne besojmë se një rezultat i samitit do të jetë një 'Frymë e re e Astanës', e cila do të burojë natyrisht dhe logjikisht nga realitetet e reja gjeopolitike dhe nga Akti Final i Helsinkit. Kjo do të përfaqësojë një mënyrë të lavdërueshme për të shënuar përvjetorin e Organizatës dhe do të nxisë arritje të reja në shekullin XXI”.

Akti Final i Helsinkit, i nënshkruar nga presidentë dhe kryeministra të 35 shteteve më 1 gusht 1975, u pa si një hap i madh për të ulur tensionet e Luftës së Ftohtë dhe çoi në formimin e një forumi të përhershëm dialogu për sigurinë – Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sot OSBE.

Akti vendosi një përkufizim tërësor unik për sigurinë, duke përfshirë dimensionet politiko-ushtarake, ekonomiko-mjedisore dhe njerëzore, dhe krahas angazhimeve të pranuara më pas nga shtetet pjesëmarrëse, vijon të udhëheqë punën e OSBE-së.

Një samit, që do të mbledhë udhëheqësit e 56 shteteve, që përbëjnë OSBE-në sot është planifikuar për t’u mbajtur në Astana përpara fundit të vitit.

mit/NOA
KOMENTE