English

Afro 20 Mijë Udhëtarë Dhe 6 Mijë Automjete Me Tragete Ne Durrës

RRËS, 2 Gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Afro 20 mijë udhëtarë me 6 mijë automjete gjithsej kanë mbërritur me tragete gjatë fundjavës në portin detar të Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në qytetin bregdetar. Kryekomisar Roland Pelushi, shefi i komisariatit të Durrësit, tha për ATSH-në se vetëm të shtunën dhe të dielën janë përpunuar 21 tragete gjithsej, që mbërritën nga Bari, Ankona dhe Trieste (Itali), 8 prej të cilëve kishin programuar edhe lundrime shtesë për të lehtësuar ardhjen e mijra bashkëatdhetarëve që kanë zgjedhur t'i kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Sipas të njejtit burim, mësohet se në pikën e kalimit kufitar punojnë pa ndërprerje 24 sportele kontrolli, pjesa më e madhe e të cilëve janë instaluar në sheshin e trageteve për kontrollin e dokumentave të automjeteve dhe të udhëtarëve, që përgjithësisht gjatë kontrollit qëndrojnë në autoveturat familjare. Bashkëpunimi me autoritetin portual, kapitenerinë e portit, doganën dhe agjencitë e lundrimit e ka shkurtuar kohën e kontrollit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj udhëtarëve, shtoi kryekomisar Pelushi. Numri i automjeteve që transportohen me tragete gjatë këtij sezoni veror është më i lartë se sa në të njejtat periudha të viteve të kaluara, kryesisht për shkak të përfundimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, u shpreh Pelushi. Burimet nënvizuan se gjatë muajit korrik në Durrës kanë mbërritur më shumë shtetas kosovarë me punë dhe banim në vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore, të cilët vijojnë më pas udhëtimin me autovetura drejt Kosovës. Sipas të dhënave operative, që nga 1 gushti pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shtetas shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë kryesisht në Itali dhe që kanë nisur pushimet njëlloj si kolegët e tyre italianë. Vetëm sot në Durrës pritet të vijnë 9 tragete me rreth 5500 udhëtarë dhe 1700 automjete, tha kryekomisar Roland Pelushi./s.s./
KOMENTE