English

Ban Ki Mun: OSBE, me rol jetësor për botën

Nju Jork, 2 Gusht, NOA – “Zor se ka krizë në botë, e cila nuk kërkon bashkëpunim lokal, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Organizatat rajonale si OSBE-ja janë aktorë shumë të rëndësishëm në kuadrin global, të shprehur shumë qartë në Kapitullin VIII të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Kështu është shprehur në ceremoninë e organizuar me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Ban Ki Mun, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, nga vetë natyra e saj, OSBE-ja është në pozicion të mirë për t’u përballur me shumë sfida në rajonin e vet, ku “afërsia fizike ka shumë avantazhe: afërsinë kulturore, historinë e përbashkët, lidhjet e forta, fuqi të qëndrueshme, volinë kohore dhe efektivitetin e shpenzimeve.

“Sidoqoftë, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së sjell avantazhe shtesë. Unë shoh pesë fusha të veçanta, praktike për bashkëpunim më të gjerë, ku së pari, renditet çarmatimi bërthamor dhe ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore. Këto janë përparësitë e mia kryesore”, tha më tej shefi i OSBE-së.

Duke shtuar si një fushë me rëndësi bashkëpunimi gjithashtu edhe atë të sigurimit të paqes.

“Së treti, zgjedhjet. Kombet e Bashkuara janë duke dhënë ndihmë teknike për ndërtimin e demokracisë në të gjithë botën. OSBE-ja shihet gjerësisht si “standardi i artë” në vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Le t’i bashkojmë forcat dhe t’i përdorim në rajone të tjerë me anë këshillimesh e trajnimesh”, pohoi më tej Ban Ki Mun.

Në fund, ai përmendi edhe fushat e mjedisit, zhvillimit dhe të drejtat e njeriut, si fusha me rëndësi për bashkëpunimin në mbarë botën.

“Pra, qëllimi është të evitohet dublikimi i punës dhe të krijohen sinergji për të arritur objektivat tanë të përbashkët”, e përfundoi ai fjalën e tij, duke thënë se në prill, pati privilegjin t’i drejtohet Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, për ta çuar më përpara këtë proces.

n.e/NOA

KOMENTE