English

Berisha-Borchardt: Vitet E Fundit Është Konsoliduar Bashkëpunimi Ekonomik Mes Dy Vendeve

- Kryeministri Berisha takon Ambasadorin e Gjermanisë Bernd Borchardt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij - TIRANË, 2 Gusht/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, konfirmuan sot se vitet e fundit është shënuar progres në drejtim të bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha, veçanërisht në fushën ekonomike e financiare. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme qe Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Ai vlerësoi kontributin që Ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë ka dhënë për forcimin e zgjerimit të lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve. Ambasadori Borchardt falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Gjatë takimit u rikonfirmua fakti se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres dhe arritje të reja në shumë fusha, si në arsim, energjetikë, infrastrukturë, por edhe në kuadrin shumëpalësh në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Bashkëbiseduesit vlerësuan se një ndër ngjarjet e rëndësishme që tregon për nivelin gjithnjë në rritje të interesit të investitorëve gjermanë në Shqipëri, edhe në saje të kushteve të favorshme të krijuara nga qeveria shqiptare për biznes e investime, është çelja e Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila pritet t'i jap një shtysë të mëtejshme këtij interesi dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve. Në takim u ripohua vendosmëria e dy qeverive për të konsoliduar më tej miqësinë si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar./m.m//a.ke/
KOMENTE