Tiranë, 2 gusht, NOA – Në përfundim të mandatit të tij në Tiranë, ambasadori i SHBA-ve, John L. Withers II, është pritur sot në një takim nga Kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që SHBA-të i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Duke e vlerësuar si mikun, partnerin strategjik të shqiptarëve, aleatin e Shqipërisë, shefi i qeverisë, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve, të Qeverisë Amerikane, por dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë.
Ambasadori Withers duke e falënderuar kryeministrin për pritjen e ngrohtë, theksoi ashtu sikundër kishte theksuar një javë më parë në takimin me Kreun e Shtetit, “se largohet nga Shqipëria i lumtur, që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë. Ndërkaq, ambasadori Withers vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon.
Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve, për të konsoliduar edhe më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy vendeve dhe popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
mit/NOA