Borchard : Liberalizimi I Vizave, Brukseli Vlerëson Se Shqipëria Po I Përmbush Standardet
-Zhvillohet ceremonia e dorëzimit të disa pajisjeve për sallën e monitorimit të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH-
TIRANË, 2 Gusht /ATSH-M.Shkurta/-Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, z. Bernd Borchardt, vlerësoi sot arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, një ndër kushtet themelore që vendi ynë duhet të plotësojë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.
I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të disa pajisjeve për sallën e monitorimit të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, një financimi i përbashkët i projektit UNODC dhe Policisë së Shtetit, me mbështetjen e qeverive gjermane dhe asaj britanike, Ambasadori Borchardt tha se, "kemi marrë sinjale pozitive nga Brukseli, të cilat tregojnë se Shqipëria po i përmbush standardet e përcaktuara".
"Qeveria gjermane, ashtu si dhe qeveritë e tjera evropiane, do t'i marrin në konsideratë këto sinjale gjatë analizës së raportit që vlerëson hapat e Shqipërisë në kuadër të këtij procesi", u shpreh ambasadori gjerman, që vlerësoi se
"krimi i organizuar është një fenomen që prek jo vetëm Shqipërinë, por dhe Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, ndaj është me rëndësi të tejskajshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona".
Sipas tij, ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të "RENEA-s" dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri, kanë pasur si qëllim që të mbështesin Shqipërinë në arritjen e standardeve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, i pranishëm në këtë ceremoni, garantoi se "lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit".
Peka kujtoi se vazhdimi i rritjes se kapaciteteve në këtë drejtim u theksua dhe gjate takimit te fundit te Komitetit Ndërministror lidhur me masat që do të ndërmerren kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.
"Donacioni i sotëm, prokuruar nën financimin e qeverisë gjermane, si bashkëfinancuese e projektit, i shërben pikërisht forcimit të kapaciteteve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në mbështetjen që ata i japin luftës kundër krimit të organizuar", tha Peka.
Në këtë ceremoni, ku ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Mbreterisë së Bashkuar, znj. Fiona Mcllëham, u nënshkrua aktit i dorëzimit të pajisjeve të dhuruara për sallën e monitorimit të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale./s.s./