English

Britani E Madhe - Cameron Nuk I Ndryshon Deklaratat Lidhur Me Pakistanin

LONDËR, 2 gusht /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik David Cameron mbetet i palëkundur në deklaratat e bëra javën e kaluar me anë të të cilave akuzonte Pakistanin për eksportim terrorizmi, njoftoi sot një zëdhënëse. "Ai mbetet i pandryshuar në vërejtjet e bëra", deklaroi zëdhënësja. "Ai u referohej elementeve në Pakistan që mbështesin terrorizmin, jo qeverisë pakistaneze", bëri të ditur ajo. Kryeministri britanik, David Cameron, gjatë vizitës së zhvilluar të mërkurën në Indi ka deklaruar: "Nuk mund të tolerojmë në asnjë rast idenë që ky vend (Pakistani të lejohet të veprojë në të dyja anët dhe të arrijë të nxisë me çfarëdo lloj mënyre eksportin e terrorit në Indi apo në Afganistan ose kudo qoftë". Këto deklarata kanë shkaktuar një polemikë të ashpër me Islamabadin dhe kanë bërë që autoritetet e Islamabadit të thërrasin ambasadorin britanik Adam Thomson në Pakistan. Thomson u takua me ministrin e Jashtëm pakistanez Shah Mehmod Qureshi rreth orës 11:30 (06:30 GMT), i bëri të ditur AFP-së një burim në ministri. Shërbimet pakistaneze të zbulimit anuluan një vizitë të parashikuar në Britaninë e Madhe për të protestuar kundër këtyre deklaratave të David Cameron, njoftoi sot e përditshmja "The Times". Presidenti pakistanez Asif Ali Zardari pritet të mbërrijë të martën në Londër për një vizitë disa ditore gjatë të cilës pritet të takohet me Cameron. /I.Pu.
KOMENTE