Durrës: Mot I Kthjellët Dhe Kushte Të Mira Detare
DURRËS, 2 gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/. -Moti në rajonin e Durrësit sot do të jetë i mirë dhe kushtet detare do të favorizojnë lundrimin e anijeve dhe motopeshkatoreve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit.
Tragetet e linjës Bari-Durrës po ankorohen njeri pas tjetrit në portin më të madh të vendit dhe gjatë ditës pritet të mbërrijnë nga Ankona dhe Trieste edhe tragete e katamaranë të tjerë, të cilët që nga filimi i muajit korrik po kryejnë lundrime shtesë, duke lehtësuar lëvizjen e mijra bashkëatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore.
Përpunimi i anijeve në kalata ka nisur pa probleme, thanë burimet e mësipërme, sipas të cilave, mjegulla e mëngjesit nuk i ka penguar manovrat e anijeve dhe të trageteve për hyrjen dhe daljen nga baseni portual.
Temperaturat e ajrit sot do të shënojnë rritje deri në 33 gradë, çka pritet të shtojë numrin e pushuesve ditorë në plazhet e bregdetit të qarkut të Durrësit.
Kushtet detare janë mjaft të favorshme për lundrimin e motopeshkatoreve, të cilat sot paradite janë nisur masivisht për gjueti në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri./s.s./