Durrës: Vazhdojnë Punimet Në Terminalin E Udhëtarëve Në Portin Detar
DURRËS, 2 gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Punimet për ndërtimin e terminalit të udhëtarëve në portin detar të Durrësit, që po realizohet me një investim të përbashkët nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Qeveria shqiptare, kanë vijuar intensivisht megjithëse në një pjesë të tij vazhdon përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve që mbërrijnë apo largohen nga Durrësi me mjete të mëdha lundruese.
Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual bënë të ditur për ATSH-në se realizimi i projektit me vlerë prej afro 15.2 milionë euro nuk ka penguar përpunimin e mijra udhëtarëve që kanë mbërritur me tragete, veçanërisht gjatë muajit korrik.
Sipas tyre, mësohet se zbatimi i projektit për godinën e terminalit të trageteve në një sipërfaqe prej 5 mijë metra katrorë, ka hyrë në fazën e tij të fundit, ndërsa ka përfunduar ngritja e kollonave mbajtëse të mbikalimit të udhëtarëve nga sheshi i trageteve drejt sheshit të stacionit hekurudhor të Durrësit.
Punimet janë përqëndruar në pjesën perëndimore të terminalit, në të cilën do të instalohen zyrat dhe sportelet për nisjen e udhëtarëve dhe automjeteve drejt trageteve. Sipas burimeve të Autoritetit Portual, "zona e eksporteve" do të jetë gati në fund të këtij viti.
Përveç mjediseve të Terminalit të mbuluar, punimet kanë përfshirë edhe krijimin e sistemeve moderne të ndriçimit, sinjalizimit dhe kanalizimeve si dhe betonimin e një territori të përgjithshëm prej 63 mijë metra katrorë.
Ndërtimi i Terminalit të udhëtarëve ka nisur në qershor 2008 dhe po realizohet nga kompania sllovene "SCT dd Lubiana". Në përfundim të tij parashikohet që të përpunohen njëkohësisht 2000 udhëtarë dhe 2000 automjete.
Ndërkaq përpunimi i automjeteve dhe udhëtarëve të shumtë që mbërrijnë me tragete po realizohet falë bashkëpunimit mes Autoritetit portual, Forcave të Sigurisë Portuale, Komisariatit të policisë, doganës dhe agjencive të lundrimit në zonën ku ende nuk kanë nisur punimet./s.s./