English

E rrallë, 90-vjeçarja zhdëp më dru shqiptarin që tentoi ta grabisë

Vetëm për abonentët – ABONOHUNI KËTU

Iraklio, Kretë – Greqi, 2 Gusht 2010 NOA – As që mund ta mendonte jo ai që tentoi grabitjen, por edhe shumëkush nga ne, se një plakë afër të njëqindtave do të bëhej aq “grindavece” dhe e fuqishme sa ta zhdëpte më dru kur iu sul t’i rrëmbente çantën me paratë e pensionit të përmuajshëm.

Ngjarja e rrallë ka ndodhur në qytetin e Iraklios në ishullin e Kretës në Greqi, me protagonistë një të ri shqiptar dhe një plakë 90 vjeçare helene, raporton korrespondenti i agjencisë NOA duke iu referuar burimeve zyrtare policore dhe denoncimit të së dëmtuarës.

Gjithçka ka ndodhur në qendër të qytetit të Iraklios, pak para mesditës së sotme. Plaka plot 90 vjeçe, kishte dalë nga shtëpia dhe kishte shkuar deri në bankën postare ku po tërhiqte pensionin.

Por pa e ditur se ndoshta ndiqej nga një person që synonte të rrëmbente gjahun afro 600 eurosh.

Në momentet që është futur në rrugicën jo larg shtëpisë, 90-vjeçarja u ndal papritur nga dora e një të riu që ndërsa i bllokoi të ecurën, po përpiqej t’i rrëmbente çantën ku gjendej “gjahu”.

Këtu, djaloshi 24-vjeçar nga Shqipëria, ka marrë një mësim të mirë. Plaka dhe pse plot 90 vjeçe, e ka gjetur befas fuqinë që t’i kthehej të riut dhe ta godiste sa të mundte.

“Unë jam nga Kreta dhe me ne, ta mendojnë mirë kur merren se s’u falim kurrgjë. Kur e pashë atë djalë që po më merrte çantën, e vetmja gjë që mendova ishte se vate e shkoi pensioni im, e hajt të jetoj një muaj të tërë, e të paguaj ilaçet. Me atë çantë që donte të më grabiste, e kam goditur ku të mundja dhe s’kam reshtur së shari atë dhe së bërtituri që të afroheshin njerëz”, - rrëfen në denoncimin e saj, 90-vjeçarja.

“Më shumë i gjuajta aty ku e dija që do t’i dhembte më tepër”, - vazhdon gruaja plakë, duke nënkuptuar organet gjenitale, goditja e të cilave e kishte sprapsur të riun që pasi ra një moment poshtë, gjeti forca të ngrihej, jo për të plotësuar grabitjen, por për t’u zhdukur që të mos e kapte policia.

Por dhe kjo pjesë e planit nuk ka funksionuar për të riun shqiptar sepse në pak minuta u rrethua nga makina policore dhe iu dorëzua prangave pa rezistencë.

“Megjithëse çantën nuk ma mori dot, varësen e floririt që kisha në qafë ma rrëmbeu duke ma shkulur”, - vazhdon plaka që po kap një shekull jetë, por duke mos u mërzitur për shumë që iu grabit varësja sepse po sot, ajo iu rikthye pas ndalimit të të dyshuarit.

n.s/r.n/NOA

KOMENTE