Prishtinë, 2 Gusht, NOA – Dy varreza të reja masive në territorin e Kosovës, raportohet se janë gjetur nga EULEX (Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit).
Lidhur me këtë fakt, drejtuesit e tij kanë deklaruar se po përgatiten që të gërmojnë rreth tyre për të mundur nxjerrjen dhe identifikimin e viktimave.
Lajmi është bërë më dijeni nga zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudjeleviç, e cila konfirmoi se po bëhen përgatitjet për fillimin e gërmimit në 2 varreza dhe se punimet do të nisin shumë shpejt.
Sipas saj, deri më tani janë kryer 190 operacione në terren, në funksion të ndihmës për këtë proces.
Ndërkaq, Mali i Zi vetëm para pak ditësh ka raportuar mbylljen e procesit të gërmimeve pas pretendimeve se aty mund të gjendeshin eshtra të kosovarëve të vrarë.
Ndërsa sipas medias kosovare, janë 7 vende në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni ku dyshohet për varreza masive si Kosharja, Livoçi, Buteli, Medvegja, Peruçaci, Bellaqevci dhe Rudnica.
n.e/NOA