English

“Helsinki”, Akti Final ende nuk ka “vdekur”

Pas 35 vitesh, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur aktualitetin, thotë Kryetari i Radhës i OSBE-së

Tiranë, 2 Gusht 2010 NOA/ Eglantina Nasi/ - Akti Final i Helsinkit mbetet sot po aq aktual sa ishte kur u nënshkrua 35 vjet më parë, Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe njëherësh Sekretari i Shtetit i Kazakistanit, Kanat Saudabajev, tha në kuadër të përvjetorit të 1 gushtit.

“Në 35 vitet e ekzistencës së tij, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur rëndësinë dhe aktualitetin e tij. Koncepti novator dhe gjithëpërfshirës i sigurisë, që u themelua nga udhëheqësit e 35 shteteve, në Helsinki, mbetet edhe sot një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe bashkëpunimit në zonën e përgjegjësisë së OSBE-së,” tha ai.

“Njëkohësisht, ndryshimet vërtet tektonike që kanë ndodhur në botë, veçanërisht në vitet e fundit, kërkojnë që shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, dhe pikësëpari e mbi të gjitha udhëheqësit e tyre, të kërkojnë reagime të përshtatshme ndaj këtyre sfidave dhe rreziqeve të reja. Për këtë arsye, volia e një samiti të OSBE-së në Astana këtë vit është e vështirë për t’u mbivlerësuar. Synimi ynë është të lëvizim nga koncepti i një 'hapësire sigurie nga Vankuveri në Vladivostok' drejt krijimit të një bashkësie sigurie Euro-Atlantike dhe Euro-Aziatike të vetme.”

Saudabajev shtoi: “Ne besojmë se një rezultat i samitit do të jetë një 'Frymë e re e Astanës', e cila do të burojë natyrisht dhe logjikisht nga realitetet e reja gjeopolitike dhe nga Akti Final i Helsinkit. Kjo do të përfaqësojë një mënyrë të lavdërueshme për të shënuar përvjetorin e Organizatës dhe do të nxisë arritje të reja në shekullin XXI.”

Akti Final i Helsinkit, i nënshkruar nga presidentë dhe kryeministra të 35 shteteve më 1 gusht 1975, u pa si një hap i madh për të ulur tensionet e Luftës së Ftohtë dhe çoi në formimin e një forumi të përhershëm dialogu për sigurinë – Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sot OSBE.

Akti vendosi një përkufizim tërësor unik për sigurinë – duke përfshirë dimensionet politiko-ushtarake, ekonomiko-mjedisore dhe njerëzore – dhe krahas angazhimeve të pranuara më pas nga shtetet pjesëmarrëse vijon të udhëheqë punën e OSBE-së.

Një samit që do të mbledhë udhëheqësit e 56 shteteve që përbëjnë OSBE-në sot është planifikuar për t’u mbajtur në Astana përpara fundit të vitit.

e.n/r.n/NOA

KOMENTE