Tiranë, 2 Gusht, NOA – Më një nivel prej 16.5 miliardë lekë mallra, eksportet e vendit tonë kanë shënuar një rritje prej 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo shifër bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë Institutit të Statistikave, sipas të cilave, edhe pse me një ulje prej 6.4%, krahasuar me muajin maj, niveli i eksporteve për muajin qershor vlen për t’u marrë në konsideratë nëse e krahasojmë me një vit më parë.
Nga ana tjetër, INSTAT bën me dije se gjatë këtij muaji u importuan 40.9 miliardë lekë, duke shënuar kështu një rritje në nivelin 16.1% në krahasim me muajin qershor 2009.
Ndërsa defiçiti tregtar i këtij muaji është 24.4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.4 përqind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 5.6 përqind krahasuar me qershor 2009.
Në fund, sa i përket tregtisë me vendet e Bashkimit Europian, INSTAT bën me dijeni se partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia, ku me të parën eksporti është 18.9% dhe importi 46%, kurse me Greqinë, eksporti është 4.9% dhe importi 14.3 %.
n.e/NOA