English

Kosova, nesër mbledhje në Këshillin e Sigurimit, nuk priten ndryshime

Prishtinë, 2 gusht, NOA – Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës, më 3 gusht, mbahet një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, e kërkuar nga Rusia, kryesuesja e radhës e KS-it.

Kjo mbledhje rutinë për autoritetet në Prishtinë nuk pritet të sjellë ndryshime.

Në këtë takim ku do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ai i Serbisë, Vuk Jeremiç, priten bisedime të njohura edhe më parë pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

“Ne nuk besojmë se do të ndodhë diçka dramatike në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit. Ky këshill tashmë është shndërruar në një arenë, ku përballen oponentët dhe mbështetësit e pavarësisë. Fatmirësisht, numri i mbështetësve tanë çdo ditë po vjen duke u rritur dhe ne, çdo ditë e më shumë po prodhojmë argumente në dobi të shtetësisë sonë”, tha zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku.

Vetë analistët kosovarë, mendojnë se kjo mbledhje bëhet pikërisht për të zbehur rëndësinë e mendimit të GJND-së, për pavarësinë e Kosovës, por, ata theksojnë se “Mendimi i GJND-së do të mbetet ashtu siç është dhe do të perceptohet me ligjshmërinë e shtetësisë së Kosovës”.

Sipas analistit Agim Qirezi në favor të Kosovës do të jenë të gjithë anëtarët e tjerë të OKB-së, dhe përpjekjet e Serbisë dhe të aleatëve të saj nuk do të kenë ndonjë efekt pozitiv për kundërshtarët e Kosovës.

Zëvendësministrja e Jashtme, e Kosovës, Vlora Çitaku, tha ndër të tjera se rezoluta eventuale, që do të miratohet në këto diskutime të OKB-së, do të reflektojë mendimin e GJND-së, i cili nënvizoi se “pavarësia e Kosovës nuk shkeli të Drejtën Ndërkombëtare”. Serbia pas hartimit të rezolutës për Kosovën, në mbledhjen e jashtëzakonshme të parlamentit në Beograd, tashmë e ka depozituar atë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në këtë rezolutë që pritet të diskutohet nesër Serbia bën thirrje për bisedime të reja për statusin e Kosovës, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian, në kundërshtim të kësaj resolute të Serbisë, mësohet se ka hartuar një tjetër projekt-rezolutë për mendimin e GJND-së, që do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme.

mit/NOA
KOMENTE