English

Kush është problemi më i madh i Serbisë

Disa media perëndimore kanë zbuluar së fundmi se shumë ekspertë mbi Ballkanin e kanë ditur tash e një kohë të gjatë se problemi i vërtetë i Serbisë nuk është Kosova, e madje as gjenerali Ratko Mlladiq

Nga Patrick Moore

Rreziku më i madh për Serbinë është kontrolli i ekonomisë apo i fuqisë politike nga një grup “biznesmenësh” mafiozë. Paratë i kanë fituar në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe që prej atëherë janë pasuruar në vazhdimësi. Këta “biznesmenë”, kanë vendosur në vitin 2000 të Millosheviqi të mos mbetet më në pushtet. Siç duket, ata kanë bërë marrëveshje për formimin e yjeve të reja në politikën serbe, siç ishte për shembull Vojisllav Koshtunica dhe Zoran Gjingjiq. Marrëveshja ishte që njerëzit e biznesit të jenë të lirë të ndjekin interesat e tyre të dyshimta, në këmbim me të hollat që ata do të ofrojnë për politikanët dhe partitë e tyre. Në këtë kuadër, këta biznesmenë gjithashtu kanë blerë edhe ndikimin politik. Me shkarkimin e Millosheviqit në tetor të 2008-ës, elementet korruptive dhe kriminale që mbështetnin regjimin e tij nuk ishin të gatshme dhe të afta të vazhdonin ashtu siç kanë bërë më parë, pavarësisht se kush ishte njeriu që ishte ulur në zyrë. Këta njerëz kanë ndarë tregjet mes vete dhe kanë mbajtur të tjerët – serbët dhe të huajt – larg kësaj skene. Në muajt e fundit, mediat serbe kanë publikuar disa shkrime për këta njerëz dhe perandoritë e tyre të biznesit, të cilat shpesh janë ndërtuar duke blerë ish kompanitë apo tokat në pronësi të shtetit. Këta biznesmenë kontrollojnë gjithçka, që prej qendrave tregtare e deri tek tokat në portin e Beogradit, duke i shfrytëzuar të gjiha pamëshirshëm për përfitime personale. Dy rrëfime Fenomeni i biznesmenëve megjithatë nuk është aspak i ri. Ka kohë që kam shkruar se arsyeja e vetme pse politikanët serbë kanë bërë aq zhurmë për Kosovën ka të bëjë me tendencën për të zhvendosur vëmendjen e votuesve nga problemet reale të Serbisë. Këto probleme janë krimi dhe korrupsioni, për çka këta biznesmenë janë shembulli më i rëndësishëm i ilustrimit. Javën e kaluar, këta biznesmenë kanë tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve nëpërmjet dy lajmeve. I pari kishte të bënte me një raport në mediat gjermane, sipas të cilit Bogolub Kariq kishte fituar azil politik në Rusi. Të rikujtojmë se dy qytetarët tjerë të Serbisë të cilët gjithashtu gëzojnë “azilin politik” në parajsën e Putinit janë Mira Markoviq dhe Marko Millosheviq, e veja dhe i biri i diktatorit tashmë të vdekur. Kjo dëshmon se cilin lloj të njerëzve Kremlini e konsideron “politikisht të persekutuar”. Kariq dikur ishte një nga biznesmenët e fuqishëm, por ka thyer rregullin më kryesor. Nuk kënaqej vetëm duke blerë ndikimin politik, ai synonte një pushtet të vërtetë politik për vetveten. Kësisoj, ai pati themeluar partinë e tij politike dhe fitoi 18 për qind të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2004-ës. Partia e tij filloi të shënojë rritje në anketimet e opinionit dhe ai filloi të blejë deputetë të Kuvendit për t’iu bashkuar partisë së tij. E gjithë kjo ishte një alarm për establishmentin politik. Befasisht, ata filluan të zbulojnë “parregullsitë” e biznesit të tij, në vitet e fundit. Ia morën bizneset, ia mbyllën televizionin dhe lëshuan një fletë-arrest kundër tij më 2006-ën. Tani, ai shfaqet si një refugjat politik në Rusi. Lajmi i dytë ka filluar të qarkullojë në javët e fundit dhe kulmoi më 2 gusht, kur perandoria mediale gjermane WAZ konfirmoi se largohet nga Ballkani. Për një kohë të gjatë, ka pasur në pronësi të përditshmet në Bullgari dhe kudo tjetër, por përpjekjet për të blerë të përditshmen beogradase “Novosti” kanë dështuar. Me fjalë të tjera, biznesmenët serbë dhe ata që marrin urdhëra prej tyre, kanë mbajtur gjermanët larg tregut të mbyllur serb. WAZ dhe drejtori i saj, Bodo Hombach, janë biznesmenë të fuqishëm, por Hombach tha më 2 gusht se, madje edhe për të, “ka abuzim të zgjeruar pushteti” në Ballkan. Ai ka shtuar se Serbia “është rast i veçantë” për faktin se edhe qeveria madje ka ndihmuar që “Waz të përndiqet nga vendi”. Hombach ka argumentuar se “lidhjet e ngushta midis oligarkëve dhe pushtetit politik janë duke e helmuar tregun”. Hombach ka thënë se përvoja e WAZ-it në Serbi ka qenë një “rast sprove” për gatishmërinë e Serbisë karshi Bashkimit Evropian. Ai është zotuar se do të dëshmojë në Komisionin Evropian për mënyrën se si janë bërë vërtetë punët. Bosët në Beograd ndërkaq kanë qenë në gjendje ta mbajnë Hombachun larg tregut të Serbisë, por ai i njeh qendrat e pushtetit në Bruksel më mirë seç i njohin zotërinjtë në Serbi. /rfe/

KOMENTE