English

Lufta kundër krimit të organizuar, UNODC, dhuron pajisje për monitorimin

Tiranë, 2 gusht, NOA – “Krimi i organizuar është një fenomen që prek jo vetëm Shqipërinë por edhe Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, ndaj është me rëndësi të tejskajshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona”.

Kështu ka deklaruar sot ambasadori i Gjermanisë, në Tiranë, Bernd Borchardt, i pranishëm në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve për monitorimin e krimit në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në policinë e Shtetit.

Ambasadori gjerman nënvizoi se “Ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të Reneas dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri, etj., kanë pasur si qëllim, që të mbështesin Shqipërinë në arritjen e standardeve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”.

“Javët e kaluara kemi marrë sinjale pozitive nga Brukseli, të cilat tregojnë se Shqipëria po i përmbush standardet e përcaktuara. Qeveria gjermane ashtu si dhe qeveritë e tjera evropiane do t’i marrë në konsideratë këto sinjale gjatë analizës së raportit që vlerëson hapat e Shqipërisë në kuadër të këtij procesi”, theksoi ambasadori gjerman, Borchardt.

Në këtë ceremoni në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, merrte pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, i cili theksoi se “Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe vazhdimi i rritjes se kapaciteteve në këtë drejtim u theksua dhe gjatë takimit të fundit të Komitetit Ndërministror, për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit”.

Sipas zëvendësministrit Peka, donacioni i sotëm, prokuruar nën financimin e qeverisë gjermane si bashkëfinancuese e projektit, i shërben pikërisht forcimit të kapaciteteve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në mbështetjen, që ata i japin luftës kundër krimit të organizuar.

Në këtë kontekst Peka falënderoi në mënyrë të veçantë ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për këto projekte të rëndësishme si dhe përfaqësuesit e UNODC, PAMECA dhe ICITAP për kontributin e tyre në këtë drejtim.

Në këtë takim drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, garantoi se “këto investime kanë patur një qëllim: “rritjen e kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit për të përballuar së bashku fenomenin e krimit të organizuar, i cili është një fenomen global, që përfshin të gjitha shtetet dhe jo vetëm Shqipërinë, për të cilën Kuliçaj, siguroi se “të gjitha investimet do të rrisin kapacitetet dhe nivelin e cilësisë së punës së strukturave të Policisë së Shtetit”.

mit/NOA
KOMENTE