Tiranë, 2 Gusht, NOA - “Para pak ditësh zhvillova një vizitë në Barcelonë, qëllimi i së cilës ishte takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit për Mesdheun, zotin z. Ahmad Masadeh., i cili synon të rrisë më tej bashkëpunimin e vendit tonë me Sekretariatin e Përgjithshëm të Unionit të Mesdheut, dhe njëkohësisht për të zhvilluar më tej dimensionin mesdhetar të vendit tonë përmes bashkëpunimit konkret në fusha të rëndësishme, duke pasur në konsideratë ato të energjisë, por njëkohësisht edhe të turizmit,bujqësisë ,arsimit dhe të kulturës. Në këtë drejtim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Unionit të Mesdheut do të jenë gjithnjë e më aktive, dhe në një kohë të shpejtë besoj se do të zhvillojmë dhe një ministerial të rëndësishëm të këtij Unioni në vendin tonë”, ka pohuar .
Z. Meta ka pasur debate dhe replika shumë të ashpra mes Partisë Demokratike dhe Presidencës përsa i përket zgjedhjes së kreut të Gjykatës Kushtetuese. Cili është qëndrimi i LSI-së në këtë rast?
Ju e dini pikëpamjen tonë se në marrëdhëniet mes institucioneve të ndryshme duhet të mbizotërojë fryma e bashkëpunimit dhe e respektit reciprok dhe jo ajo e konfliktit. Besoj se ekzistojnë të gjitha instrumentet për të verifikuar kushtetutshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi dhe në këtë drejtim theksoj dhe një herë nevojën e bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme.
Ju mendoni se një ligj organik që do të rregullonte punën e këtij institucioni e shpëton situatën?
Sipas Kushtetutës, çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik, dhe unë nuk besoj se mund të synohet një ligj organik për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër, nga ana e Kuvendit; çdo ligj organik duhet bërë me frymë bashkëpunimi, dhe së dyti , duhet të synojë respektimin e Kushtetutës dhe kompetencat kushtetuese të çdo institucioni.
Z. Meta, a rrezikojmë ta kemi të bllokuar Gjykatën Kushtetuese duke pasur parasysh kohën që duhet për zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj?
Prandaj unë e vë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit dhe përgjegjshmërisë maksimale nga të gjithë institucionet, në mënyrë që situata të tilla të kalojnë sa më shpejt.
Cili është roli i LSI-së në gjetjen e zgjidhjes së kësaj situate?
LSI nuk synon të bëhet palë me askënd dhe kundër askujt, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ka qëndrime të qarta dhe parimore në respekt të institucioneve, dhe të ndarjes së pushteteve. LSI vë theksin tek domosdoshmëria e bashkëpunimit midis të gjitha institucioneve, ku qëllimi duhet të jetë jo protagonizmi i individëve që përfaqësojnë institucionet, cilado qofshin ato dhe aq më tepër raportet personale midis tyre, por bashkëpunimi në dobi të institucioneve dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
Z. Meta, opozita ka deklaruar se nuk do të bëhet palë në asnjë marrëveshje dhe në sesionin e shkuar parlamentar ishin planifikuar të kalonin ligje të rëndësishëm që kërkonin votat e opozitës për shumicën e cilësuar, ligje këto që u bllokuan. Ndërkohë Rama është shprehur se në shtator do të rinisin përsëri protesta. Si e parashikoni sesionin e ardhshëm parlamentar?
Nuk është diçka e re po t’u them se përgjegjësia kryesore e kësaj situate i takon lidershipit të opozitës, i cili ka pasur prej kohësh të gjitha instrumentet kushtetuese dhe ligjore për të ndjekur pretendimet e tij edhe për çështjen e transparencës së zgjedhjeve. Për më tepër që, sikurse e vutë re dhe në tryezën e organizuar nga Shoqëria Civile për reformën zgjedhore, binte dukshëm në sy mungesa e atyre që kërkojnë transparencën e zgjedhjeve, të cilët parimisht duhet të jenë më të interesuar se kushdo për një reformë zgjedhore, për përmirësimin e ligjit për të garantuar transparencën në zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me maxhorancën dhe qeverinë, sikurse e dini, ajo i ka të gjitha votat për të garantuar qeverisjen e vendit . Kushtëzimi për kode apo për ligje të caktuara që kërkojnë shumicë të cilësuar, siç është Gjykata Administrative, tregon një mungesë përgjegjësie, pasi ato janë në interes të qytetarëve dhe nuk është se cenojnë thjesht qeverinë. Një opozitë që punon për integrimin evropian të vendit, nuk mund të bëhet pengesë për miratimin e ligjeve, të cilat janë një kërkesë e BE-së në përputhje me legjislacionin e saj.
A ju takon juve me kodin aktual zgjedhor anëtari i KQZ-së për zgjedhjet e ardhshme apo do të kërkoni një vend në KQZ gjatë ndryshimit të ligjit për sistemin zgjedhor?
Kjo nuk është një çështje e interesave të ngushta të LSI-së për reformën zgjedhore. LSI ka kërkuar dhe po punon për një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe për këtë ka qenë e hapur për të gjitha opsionet.
Ambasadori shqiptar në Rusi ka deklaruar se të gjithë diplomatët shqiptarë janë trajnuar në Moskë, dhe se ka një bashkëpunim mes Rusisë dhe Shqipërisë përsa i përket shërbimit sekret.
Mendoj se fushata e cila për fat të keq ushqehet nga një lloj fobie ndaj një vendi të caktuar, e cila është shoqëruar dhe me disa të pavërteta që i adresohen përfaqësuesit tonë atje, nuk i jep ndihmë askujt. Shqipëria ka ato marrëdhënie me Rusinë që i kanë të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s. Në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku ka folur ambasadori i Shqipërisë, kanë folur edhe titullarë të lartë të NATO-s; po kështu dua të siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n janë marrëdhënie të pacenueshme nga asnjë raport tjetër me vende të tjera. Për të tjerat, unë nuk kam ndërmend të komentoj, Shtypi është i lirë.
Z. Meta, pritet të mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kosovës?
Shqipëria ka qenë dhe është në një aktivitet intensiv diplomatik në këtë çështje dhe në bashkëpunim të ngushtë më SHBA, Angli, Gjermani, Francë , Itali dhe vende të tjera; natyrisht që qëndrimi ynë do të jetë i mirë koordinuar me të gjitha këto vende, pasi kuptohet që çështja e Kosovës nuk është një çështje e ngushtë. Është një çështje shumë e gjerë ndërkombëtare dhe mbas vendimit të dhënë nga GJND-së, qëndrimet e të gjithëve janë të qarta. Procesi i shpalljes së pavarësisë nga Kosova është i pacenueshëm dhe plotësisht legjitim. Në këtë drejtim ne do të dëshironim që dhe Serbia të shkonte drejt së ardhmes dhe të mënjanonte iniciativa të njëanshme.
NOA