English

Ministria E Integrimit Plan Pune Në Përkthimin E Legjislacionit Europian

TIRANË, 2 Gusht/ATSH/.- Detyrimet që rrjedhin nga neni 70 i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në fushën e përkthimit të legjislacionit europian (acquis communautaire), janë një plan i qartë pune dhe për vitin 2010 në institucionet shqiptare, në kuadër të përafrimit të legjislacionit tonë me atë europian, për procesin e integrimit në BE. Sipas zv.ministrit të Integrimit, Edmond Hoxha, "Drejtoria e Përkthimit e Legjislacionit Europian pranë kësaj Ministrie është angazhuar dhe ka hartuar një kalendar të veçantë pune për vitin 2010, në bashkëpunim me ministritë e linjës. Paralel me pyetësorin dhe pas tij, rreth 14 mijë faqe të legjislacionit europian po kalojnë për përkthim në strukturat përkatëse". Sipas të dhënave nga ministria e Integrimit, në axhendën e këtij viti janë në përafrim legjislacioni parësor dhe traktatet, kapitulli 'për shkencën, informimin, edukimin dhe kulturën', kapitulli 'për çështjet e përgjithshme', kapitulli 'për politikat ekonomike, monetare dhe lëvizjen e lirë të kapitalit', kapitulli 'për politikat rajonale' etj. Po ashtu, në përpunim me objektiv përfundimi janë dhe përkthimi i kapitullit të dytë i legjislacionit europian 'për bashkimin doganor dhe lëvizja e lirë të mallrave', kapitulli i gjashtë "e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime', kapitulli 'mbi tatimet" dhe kapitulli 'mbi politikat e transportit dhe të energjisë'. Zv.ministri Hoxha tha se brenda vitit 2010 do të kemi në ministritë dhe institucionet tona një pjesë të mirë të legjislacionit europian, që është kërkuar. Nga ana tjetër, në këtë proces Drejtoria e Përkthimit në Ministrinë e Integrimit po bashkëpunon dhe me Delegacionin Europian dhe me institucione të tjera. Drejtoria e Përkthimit të Legjislacionit Europian, pranë Ministrisë së Integrimit, është ngritur në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ajo është struktura e vetme qendrore, e cila nëpërmjet kontraktimit të përkthyesve të licencuar, kryen përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe dhe përkthimin e legjislacionit shqiptar në një nga gjuhët e BE-së, si dhe çertifikon legjislacionin e përkthyer më parë ose atë që do të përkthehet nga Ministritë ose institucionet e tjera qendrore. /a.s/ s.s./
KOMENTE