English

Mjekët: Kujdes Nga Temperaturat E Larta

TIRANË, 2 Gusht/ATSH-Eriola Çuko/ - Konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate, por tregoni edhe kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë, në kushtet e temperaturave të larta, këshillojnë specialistët e shëndetit publik. Ndërkohë, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i të pacientëve me simptoma të stinës gjatë një jave në rang vendi, arrin në mbi 10.500, nga të cilat mbi 7000 raste të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme dhe rreth 3 000 raste me diarre. Sipas parashikimeve të meteorologëve, temperaturat maksimale pritet të arrijnë në 40 gradë celcius në vend, ndaj mjekët japin këshillat e tyre për të gjithë qytetarët për të mos rrezikuar shëndetin në këto ditë të nxehta. Temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell mund të shkaktojnë probleme të rëndësishme dhe ndonjëherë mjaft të mprehta shëndetësore, siç janë hipertermia malinj (rritja e shpejtë dhe shumë e lartë e temperaturës së trupit), goditja nga dielli, humbja e madhe e lëngjeve dhe kripërave të trupit me anë të djersës, si dhe djegiet e lëkurës akute dhe kronike. "Konsumoni deri në 2 litra ujë në ditë dhe jo pije alkoolike, si dhe evitoni lëvizjet dhe aktivitetet fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00", këshillojnë mjekët. Fëmijët, të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj temperaturave të larta, si dhe të moshuarit, janë mosha që duhet të tregojë më tepër kujdes. Por, nga ana tjetër, mjekët japin këshilla dhe për mbajtjen e ambientit në shtëpi sa më të freskët, e po kështu kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e kondicionerëve. Për të gjithë ata, që janë të detyruar të dalin në orët e pikut dhe udhëtojnë me makinë, specialistët e shëndetit publik thonë se është e nevojshme që të mbajnë gjithmonë me vete ujë, ndërsa gjatë ndalesave të evitohet ngrënia e shpejtë apo pijet alkoolike, ato me shumë sheqer apo kafeinë. "Mbi të gjitha, mos parkoni në diell, e nëse do ta bëni një gjë të tillë, para se të niseni hapini dritaret për të ulur temperaturën e brendshme, ndërsa për ata që kanë kondicioner, temperatura në makinë nuk duhet mbajtur më pak se 25-27°", sqarojnë mjekët. Disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë, larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve, sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët etj). /s.s./
KOMENTE