Pakistan - Bilanci I Përmbytjeve Arrin Në Mbi 1 200 Të Vdekur
- Autoritetet paralajmërojnë për epidemi të kolerës dhe sëmundjeve gastroenterike
PESHAWAR, 2 gusht /ATSH-AFP/ - Shqetësimi lidhur me rreziqet për epidemi të mundshme u shtua ndjeshëm sot në Pakistan, vend që kohët e fundit është përfshirë nga përmbytjet më të rënda në 80 vite, nga të cilat kanë gjetur vdekjen mbi 1 200 persona dhe janë prekur më tepër se 1.5 milionë të tjerë.
Reshje të jashtëzakonshme shirash tepër të dendur kanë provokuar përmbytje dhe rrëshkitje dherash të një shkalle të paprecedent, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe shkatërrimin e mijëra hektarë të mbjellave me kultura bujqësore, në një nga provincat më të varfra të Pakistanit, që fillimisht ndodhej në një gjendje tepër të vështirë si pasojë e dhunës së krijuar nga talebanët dhe lëvizjet e lidhura me al-Kaidën.
Autoritetet kanë ngritur shqetësimet dhe paralajmërojnë kundër përhapjes në masë të kolerës dhe sëmundjeve gastroenterike, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm, ndërkohë që theksuan se kanë nisur evakuimet mjekësore të personave me probleme të rënda nga distrikti Swat, ku verën e kaluar ushtria pakistaneze zhvilloi një ofensivë të gjerë kundër talebanëve.
"Besojmë se rreth 100 mijë persona, pjesa më e madhe fëmijë, janë prekur nga kolera dhe sëmundjet gastrike", deklaroi Syed Zahir Ali Shah, ministri i Shëndetësisë në provincën Khyber Pakhtunkhwa, rajon veriperëndimor i Pakistanit./
/i.p/