Islamabad, 2 Gusht, NOA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hartuar një plan të posaçëm për t’i ardhur në ndihmë Pakistanit, i cili nga përmbytjet e rënda në veri të tij ka pësuar vdekjen e të paktën 1.100 personave.
Shumica vdiqën në provincën kufitare veriperëndimore, Khyber-Pakhtunkhva, ndërsa janë përmbytur hapësira të mëdha dhe shkatërruar fshatra të tërë.
Bëhet me dijeni se ambasada amerikane në Islamabad, kryeqytet i Pakistanit, po bashkërendon dërgimin e ndihmave si dhe fluturimet humanitare të një numri helikopterësh, anijeve, sikundër ka vendosur ura të lëvizshme dhe ka dërguar njësi për pastrimin e ujit, apo ndihma ushqimore për pakistanezët që gjenden në zonat e goditura nga moti i keq.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar përveç ndihmës në pajisje, dhe 10 milionë dollarë për qeverinë pakistaneze.
Bëhet me dijeni se nga katastrofa natyrore e përmbytjeve në Paksistan, janë prekur mëse 1.5 milionë veta, ndërsa janë angazhuar mbi 30.000 forca shpëtimi dhe ushtarë.
n.e/NOA