Tiranë, 2 gusht, NOA – Mbajtja nën kontroll dhe menaxhimi i situatës në luftën ndaj krimit në përgjithësi, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, me prurje të madhe emigrantësh, në radhët e të cilëve përfshihen edhe shumë elementë të krimit, ishn lajtmotiv i takimit të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj me zëvendësdrejtorët e policive në qarqe.
Gjatë këtij takimi, Kuliçaj vuri theksin tek përballimi dhe ndjekja në mënyrë dinamike e situatës kriminale, si dhe intensifikimi i shërbimeve policore nga ana e strukturave të policisë në të gjithë vendin.
Kuliçaj nënvizoi se “Me synimin për parandalimin e krimit në përgjithësi, veçanërisht të krimeve ndaj personit dhe pronës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan masash dhe ka planifikuar një sërë kontrollesh në qarqe nga një grup pune i ngritur posaçërisht për përballimin e kësaj situate”.
Po ashtu, zëvendësdrejtori Kuliçaj, siguroi se “lufta kundër trafiqeve të paligjshme, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike si dhe hetimi i aseteve kriminale, për të cilat do të vijojnë kontrollet e vazhdueshme në çdo qark të vendit janë në qendër të punës së policisë së shtetit.
mit/NOA