Policia E Shtetit, Plan Masash Për Parandalimin E Krimit
TIRANË, 2 Gusht /ATSH - M.Shkurta /.- Përballimi dhe ndjekja në mënyrë dinamike e situatës kriminale, si dhe intensifikimi i shërbimeve policore nga ana e strukturave të policisë në të gjithë vendin, ishte tema e takimit të sotëm që zv/drejtori i Përgjithshëm i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Agron Kuliçaj, zhvilloi me drejtues të policive në qarqe.
Me synim parandalimin e krimit në përgjithësi, veçanërisht të krimeve ndaj personit dhe pronës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka hartuar një plan masash, si dhe ka planifikuar një sërë kontrollesh në qarqe nga një grup pune i ngritur posaçërisht për përballimin e kësaj situate.
Në planin e masave përfshihet mbajtja nën kontroll dhe menaxhimi i situatës në lidhje me luftën ndaj krimit në përgjithësi, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me prurje të madhe të emigrantëve, ku përfshihen edhe shumë elementë të krimit.
Gjatë takimit, rëndësi e veçantë iu kushtua luftës kundër trafiqeve të paligjshme, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe hetimi i aseteve kriminale, për të cilat do të vijojnë kontrollet e vazhdueshme në çdo qark të vendit. /a.ke/